Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Për institucionet korrektuese sfidues trajtimi i personave me çrregullime mendore

Për institucionet korrektuese sfidues trajtimi i personave me çrregullime mendore

Në mungesë të institucioneve të veçanta për institucionet korrektuese në Kosovë sfidë vazhdon të mbetet trajtimi i personave me çrregullime mendore. Kështu thotë një raport me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë për vitin 2022” i cili u bë publik nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se përmes këtyre monitorimeve synojnë t’i identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese.

“Objektiv kryesor i monitorimit të vendeve të mbyllura apo të privuarve nga liria në qendrat e paraburgimit dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) është padyshim t’i identifikojmë shkeljet e të drejtave të njeriut, qoftë ngecjet e sistemit apo mangësitë që ballafaqohet ky sistem… Dhe pikë tjetër e cila për ne si aktivistë të të drejtave të njeriut ka paraqitur shqetësim madhor ka qenë dedikimi i pavionit D për personat me nevoja të veçanta”, u shpreh ajo.

Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u shpreh me qëllim që të privuarit nga liria të gëzojnë të drejtat e tyre kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të marrin hapa konkretë.

“Gjithmonë duke pasur parasysh që institucionet tona korrektuese kanë për detyrë korrektimin me qëllim të riintegrimit dhe risocializimit në shoqëri për personat e dënuar dhe jo ndëshkimit të tyre… Trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovës është i rregulluar në raport të drejtë me standardet ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut,”, tha Sallahu.

Menaxherja e programit në QKMRT, Fatmire Haliti u shpreh se në vitin 20222 sfiduese për institucionet korrektuese vazhdon të jetë trajtimi i personave me çrregullime mendore.

“ Kjo ka qenë sfiduese për stafin për t’i menaxhuar dhe po ashtu ka qenë sfiduese për të burgosurit… Na gëzon fakti që viteve të fundit përdorimi i forcës apo rastet e keqtrajtimit nuk janë fenomen në Kosovë në institucionet korrektuese por ka raste të izoluara, gjatë vitit të kaluar ka pas një rast në Dubravë ku kanë qenë të përfshirë dy të burgosur… Numri i rasteve të lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe vetëvrasjeve vazhdon të jetë në rritje ku vetëm në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë i kemi pasur 14 raste të tentim-vetëvrasjes. Kemi vërejtur që ato plane që janë të parapara si plane individuale të trajtimit programe risocializuese dhe rehabilituese nuk e kanë dhënë efektin e tyre tek të burgosurit sepse zakonisht janë plane të përgjithshëm”, theksoi ajo.

Kurse, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani u shpreh se nuk ka burgje në Evropë apo edhe në botë që kanë monitorim të tillë siç ka Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nga shoqëria civile dhe partnerët e tjerë strategjikë.

“Ka kontrabandë në burgje ne sigurisht që nuk po flasim për qendra kulturore e as ndonjë shoqëri kulturore-artistike por jemi duke folur për qendra të burgimit ku ka njerëz të privuar nga liria. Natyrisht edhe këtu në rast se marrim një krahasim të shkurtër me vitet e kaluara për njoftimin tuaj vetëm gjatë 2 viteve të kaluar kemi 11 raste të adresuar në institucionet përgjegjëse për keqpërdorim të detyrës”, u shpreh Dibrani.

Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama ngriti si sfidë edhe për sistemin gjyqësor çështje e trajtimit të personave me çrregullime mendore.

Shabani-Rama: Shtetit tonë i mungon një plan strategjik për trajtimin e personave me çrregullime mendore

“… ne e kemi detyrim ligjor që personit me ia dhënë masën të cilën ne mendojmë se është e përshtatshme konfrom shëndetit dhe shërbimeve… Sfidë për neve mbetet shumë e madhe ku ne duhet me ia caktua me ia mbajt masën e paraburgimit në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak se i njëjti ka dokumentacion dhe të dhëna për shkak se i njëjti ka kryer veprën për shkak të çrregullimeve mendore dhe po të njëjti nuk mund të sistemohet në Institutin Psikiatrik të Forenzikës për shkak të kapaciteteve të limituara që kanë ata, dhe në këtë rast SHKK dhe ne biem para një sfide se ku me e vendos”, tha ajo.

/TV Arbëria