Të martën në Prishtinë për herë të parë ka nisur vaksinimi HPV i vajzave, vaksinë kjo që jepet kundër kancerit të qafës së mitrës.
Nisjen e vaksinimit HPV në Prishtinë e kanë bërë të ditur nga komuna e Prishtinës.
“Një hap tepër i rëndësishëm për shëndetin e të çmueshmeve, vajzave tona, ka nisur sot në Kryeqytet. Nxënëset e moshës 11 vjeçare, të shkollës Model ‘Qamil Batalli’ në Prishtinë, u vaksinuan me vaksinën Human Papilloma Virus (HPV).
Vaksina HPV ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shëndetin e vajzave, duke ofruar një mbrojtje efektive kundër kancerit të qafës së mitrës; një sëmundje që po shfaq një rritje shqetësuese në numrin e rasteve”, thuhet në njoftimin e komunës.
Nënkryetarja e Prishtinës, Jehona Lushaku Sadriu theksoi “fillimi i vaksinimit në moshën 11 vjeçare për vajzat, është zgjedhur për shkak të efektivitetit të saj të lartë në këtë fazë, duke mbrojtur deri në 99% të grave nga ky rrezik në të ardhmen. Ky lajm pozitiv për vaksinimin është i rëndësishëm për të gjitha vajzat, duke ofruar mbrojtje të duhur për t’i parandaluar këto sëmundje”.
Lidhur me nisjen e vaksinimit HPV që nisi të martën në Prishtinë ka shkruar edhe drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku.
Ai në një postim në Facebook shkruan se vaksina HPV parandalon kancerin e qafës së mitrës, që konsiderohet kanceri i dytë më i shpeshtë tek gjinia femërore.
Ndryshe, në njoftim thuhet se vaksinimi me vaksinën HPV do të bëhet në të gjitha shkollat e Kryeqytetit Prishtina.
Ndërkaq, lidhur me rëndësinë e vaksinimit të vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës ditë më parë për Telegrafin ka folur edhe drejtori i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës,
Drejtori Zef Ndrejaj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se është i mendimit që kjo vaksinë duhet të bëhet e detyrueshme.
“Karcinoma e qafës së mitrës te femrat është një prej karcinomave më të shpeshta, pas karcinomës së gjirit. Dhe kjo vaksinë ka pas nevojë të vendoset në program të vaksinimit edhe para shumë viteve. Mirëpo mundem me thanë se tash me vendosjen në program të vaksinimit të kësaj vaksine është një prej arritjeve më të mëdha ndoshta në shëndetësinë në vitet e fundit në Kosovë”, theksoi ai.
Mes tjerash, ai tregoi se kjo vaksinë tashmë është duke u dhënë në të gjitha shtetet e civilizuara.
“Unë e kisha me thanë që ndoshta me fut edhe si vaksinë e domosdoshme, për shkak se dimë që vaksina nuk është kurrë direkt në lidhje me karcinomën, por me shkaktarin kryesor të karcinomës qafës së mitës”, ka pohuar ai.
Duke folur mbi rëndësinë e kësaj vaksine, Ndrejaj tha se prindërit nuk duhet hezituar në vaksinimin e fëmijëve, derisa theksoi se kjo vaksinë mund të merret prej moshës së pubertetit.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike rekomandoi që vaksina të merret para se të nisin jetën seksuale.