Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Për dallim nga PDK, kushtet politike të LDK-së e bëjnë të pashmangshme bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen

Për dallim nga PDK, kushtet politike të LDK-së e bëjnë të pashmangshme bashkëqeverisjen me Vetëvendosjen

 Shkruan: Afrim Kasolli

 

Gjatë ditës së djeshme, secili nga tre kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit, i shpalosën edhe një herë qëndrimet e tyre politike për situatën paszgjedhore.

Vetëtimthi në një prononcim për media, kryeministri Kurti deklaroi, “se së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet”. Dhe në fund, sipas tij Qeveria, sigurt, do të udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ai personalisht. Mirëpo, në dallim nga ky optimizëm i liderit të partisë fituese të zgjedhjeve, kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në emisionin Rubikon, e përjashtoi kategorikisht çdo skenar për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, ekziston një humnerë e madhe programore ndërmjet këtyre dy subjekteve, çfarë e bënë të pamundur çdo lloj afrimi ndërmjet tyre. Prandaj, fillimisht duhet që partia fituese e zgjedhjeve ta konsumojë të drejtën e saj kushtetuese, dhe pasi të dështon ajo atëherë misionit për krijimin e Qeverisë së re do t’i prijë ai. Ndërkohë, i njëjti refuzoi të fokusohet më shumë se çka mund ta pres vendin sa i përket zgjedhjeve lokale dhe asaj të zgjedhjes së Presidentit në fillim të vitit të ardhshëm. Ngase këto dy procese janë të ndara.

Krejt çka i duhet tash partive opozitare është veprimi. Marrja e disa masave urgjente në funksion të realizmit të premtimeve elektorale dhe në këtë mënyrë të bindet opinioni se ndërtimi i Qeverisë pa Lëvizjen Vetëvendosje është diçka që ia ka vlejtur. Ndërkohë, qëndrimin e saj pas zgjedhor dje e qartësoi edhe partia e tretë e këtyre zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës. Pas një mbledhje për më shumë se pesë orë, kryetari i këtij subjekti politik, deklaroi se si parti e përjashtojnë çdo koalicion me Vetëvendosjen. Shkurt e shqip,Lumir Abdixhiku, pohoi se “nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV), pra LDK-ja e ka të qartë pozicionin e vet politik karshi Lëvizjes Vetëvendosje”. Kurse sa i përket mundësive tjera sipas tij, “qëndrimi elektoral dhe paraelektoral mbetet se ata nuk do të “jenë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit”. Arsyet e këtij pozicioni, sipas liderit të LDK-së, kanë të bëjnë me faktin se kjo parti “ nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër.

Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare” përfundoi Abdixhiku. Sidoqoftë, janë pikërisht këto kushte politike të prezantuara nga LDK që e bëjnë të pamundur çdo koalicion qeveritar pa Vetëvendosjen. Sepse është vetëm bashkimi i njërës prej partive opozitare më Lëvizjen Vetëvendosje që mund të ofrojë siguri si për temën e presidentit ashtu edhe mund të krijojë bazë për një qeveri më afatgjatë. Pra nëse PDK kërkon që vetëm të veprohet shpejtë në ndërtimin e një qeverie edhe pa partinë fituese, me synim që vendi të mos mbetet peng i rrethanave “hipotetike” politike, Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse e përjashton një skenar të tillë dhe aspiron që ta ketë më çdo kusht pozitën e kryeministrit, megjithatë vizioni i saj për stabilitet politik e bënë të pamundur një gjë të tillë pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Dhe nëse kjo parti i qëndron konsekuent këtyre kushteve atëherë ato e varrosin çdo mundësi që partitë opozitare të kenë mundësi ta krijojnë Qeverinë e re. Sepse asnjëra nga to nuk mund t’ia garantojë për katër vjet pozitën e kryeministrit, Lumir Abdixhikut. Madje në këto rrethana ato nuk munden as vetës t’ia ofrojnë një komoditet të tillë.