Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Për 20 ditë rreth 250 milionë të infektuar me Covid në Kinë

Për 20 ditë rreth 250 milionë të infektuar me Covid në Kinë

Rreth 250 milionë njerëz në Kinë mund të jenë infektuar me Covid-19 në 20 ditët e para të dhjetorit, sipas një raporti të brendshëm, raportuan Bloomberg News dhe Financial Times.

Shifrat e raportuara në media u prezantuan gjatë një takimi të brendshëm të Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës (NHC) të mërkurën, sipas të dy mediave – të cilat cituan burime që ishin pjesë e takimit.

Të premten, një kopje e asaj që supozohet se ishte shënimet e takimit të NHC-së u shpërnda në mediat sociale kineze mirëpo autenticiteti i dokumentit nuk është verifikuar.

Sipas këtyre mediave, vetëm të martën 37 milionë njerëz u infektuan me Covid-19 në të gjithë Kinën. Shifra ishte në kontrast dramatik me numrin zyrtar prej 3,049 infeksionesh të reja të raportuara atë ditë.

Financial Times tha se ishte Sun Yang – zëvendësdrejtor i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve – që ua prezantoi shifrat zyrtarëve gjatë takimit me dyer të mbyllura, duke cituar dy persona brenda takimit.

Sun shpjegoi se shkalla e përhapjes së Covid në Kinë ishte ende në rritje dhe vlerësoi se më shumë se gjysma e popullsisë në Pekin dhe Sichuan ishin tashmë të infektuar, sipas Financial Times.

Vlerësimet pasojnë vendimin e Kinës në fillim të dhjetorit për të hequr masat e saj të rrepta zero-Covid, të cilat kanë qenë në fuqi për gati tre vjet.   /TV Arbëria

Themes by WordPress