Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Pensionistët kërkojnë reformë në skemat pensionale: Nuk mund të mbijetosh me 100 euro në muaj

Pensionistët kërkojnë reformë në skemat pensionale: Nuk mund të mbijetosh me 100 euro në muaj

Kryeministri Albin Kurti, gjatë fushatës së tij zgjedhore, kishte premtuar se programi i tij qeverisës, që vitin e parë, do të përfshinte reforma për skemën pensionale edhe sociale, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas dy vitesh.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se aktualisht janë 149 mijë pensionistë e Kosovës që marrin nga vetëm 100 euro në muaj, shumë kjo e pamjaftueshme për jetesë normale.

Jakaj ka thënë se reformat pensionale dhe sociale janë paraparë në programin qeverisës 2021-2025, por ato nuk kanë ndodhur.

“Në programin qeverisës 2021-2025 është paraparë reforma pensionale dhe sociale, por ajo nuk ka ndodhur brenda dy viteve të para. Kanë ndodhur disa propozime, disa vendime, por reforma nuk ka pasur”.

“Aktualisht janë 200 mijë pensionistë; 49 mijë janë kontribut-pagues, ndërsa 149 mijë janë pensionistë të cilët marrin shumën mujore prej 100 eurove. Shuma prej 100 eurove nuk është e mjaftueshme. Për këtë arsye konsiderojmë si IKD se reforma pensionale dhe sociale duhet të behët sa më shpejt”.

Jakaj tha se gjendja e pensionistëve është rënduar edhe më shumë nga krizat botërore dhe rritja e çmimeve e produkteve bazë.

“Sot pensionistët ballafaqohen me jetesë të rëndë, si pasojë e tri krizave botërore: Pandemia, kriza energjetike dhe kriza e shkaktuar nga agresioni rus që ka ndodhur në Ukrainë. E kemi parë sesi prokutet bazë, si kripa, buka, mielli, pemët, perimet e mishi, janë shtrenjtuar; është shtrenjtuar çmimi i energjisë, çmimi i banimit. Për këtë arsye Qeveria është dashur ta bëjë ndryshimin. Jo t’i zvogëlojë pensionet në emër të reformës, por në emër të kësaj skeme të zgjerohen ato, që ata të mos kenë probleme për ta kaluar një muaj jetesë”, tha ai.

Tutje, ai e ka cilësuar të drejtë vendimin e i Gjykatës Kushtetuese për t’u shfuqizuar dispozita ligjore për pensionistët të cilët nuk kanë pasur 15 vjet përvojë pune.

“Si rezultat i mosreformimit të Ligjit për skemat pensionale, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shfuqizon dispozitën ligjore, përkatësisht një nen diskriminues për pensionistët të cilët nuk kanë mundur ta marrin pensionin e plotë për shkak se nuk e kanë 15-vitshin, para 31 janarit të vitit 1999. Fatmirësisht kjo dispozitë është shfuqizuar dhe është urdhëruar Kuvendi dhe Qeveria që t’i bëjnë ndryshimet deri me 15 korrik 2023″, tha ai. /TV Arbëria

Themes by WordPress