Ish-diplomati dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lulzim Peci, ka deklaruar se viti 2025 shënon një pikë kthese për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës, pas njohjeve të reja nga Kenia, Sudani dhe Siria.
Sipas Pecit, këto njohje përfaqësojnë një “dinamikë të re legjitimiteti” për shtetësinë e Kosovës, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë stanjacioni diplomatik që kishte filluar në vitin 2020.
“Këto njohje kanë krijuar një dinamikë të re legjitimiteti për shtetësinë e Kosovës, pas një periudhe stanjacioni që nga viti 2020,” ka theksuar ai.
Peci vlerësoi se ky zhvillim është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike globale dhe i dobësimit të ndikimit rus në disa rajone, gjë që ka krijuar hapësirë për rritjen e mbështetjes ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Ai shtoi se njohjet e fundit mund të hapin rrugën për anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme si INTERPOL dhe UNESCO, por paralajmëroi se për këtë kërkohet një qasje më strategjike nga qeveria.
“Për të shfrytëzuar këtë momentum diplomatik, nevojitet një lidership qeveritar progresiv dhe liberal, si dhe një mbështetje më e fortë nga vendet perëndimore,” ka theksuar Peci.
Sipas tij, nëse Kosova arrin ta ruajë këtë ritëm diplomatik, viti 2025 do të mbahet mend si një vit i kthesës pozitive në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.