Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se pas 20 viteve, Ministria e ka kthyer në pronësi të saj një pronë në qendër të Prishtinës.
Prona prej 138 metrave katror i takonte Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Por, ajo shfrytëzohej nga persona privat.
“Pas më shumë se 20 vitesh, prona i kthehet titullarit / Ministrisë së Bujqësisë.
Me përkushtim dhe vendosmëri vazhdoj të mbajë premtimin tim për rikthimin e pronave të MBPZHR-së”, ka thënë Peci në një shkrim në Facebook të mërkurën.
“Kësaj radhe në qendër të Prishtinës, në afërsi të objektit të Qeverisë, APK pas identifikimit ka rikthyer në posedim një pronë prej 138 m² në Prishtinë, e cila sipas ligjit për Pyjet (I aprovuar vitin e kaluar) është pasuri shoqërore që i kalon për menaxhim Agjencisë Pyjore të Kosovës.”
Peci tha se pas një periudhe të gjatë mbi 20 vjeçare, kjo pronë tani i rikthehet titullarit për t’u shfrytëzuar për nevojat e institucionit.
“Pas konfirmimit të dokumentacionit për pronësinë, MBPZHR-APK do ta menaxhojë këtë pronë pa asnjë kontestim dhe në përputhje me ligjin. Jemi të angazhuar për të siguruar që të gjitha pronat që i takojnë ligjërisht MBPZHR-APK të merren në posedim dhe të menaxhohen në mënyrë efektive”, përfundoi ai.