Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > PDK pas deklaratës në Kuvend: Tani votojmë ndryshimet në Ligjin për Specialen

PDK pas deklaratës në Kuvend: Tani votojmë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Partia Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

PDK-ja “falënderon të gjitha grupet parlamentare për mbështetjen dhe kontributin në harmonizimin e tekstit të deklaratës së propozuar nga grupi ynë parlamentar”, thuhet në një reagim të kësaj partie.

“Sot, Kuvendi shprehu qëndrimin e tij për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit që e vlerëson të padrejtë. Ky është një hap i rëndësishëm i vullnetit të përbashkët politik. Tani ai vullnet duhet të kthehet në veprim konkret”, thuhet në reagim.

Tani, “radha është e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të propozuar nga PDK-ja”, thuhet në postimin e PDK-së në Facebook.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta procedojë pa vonesë në Kuvend dhe nga të gjitha grupet parlamentare që ta trajtojnë e votojnë me urgjencë”, thuhet aty.

“Deklarata shpreh qëndrimin e Kuvendit. Votimi i ligjit është hapi i radhës për t’i dhënë përgjigje institucionale kërkesave që kemi ngritur. PDK-ja do të vazhdojë të angazhohet për mbrojtjen e luftës së drejtë të UÇK-së dhe për një proces të drejtë ndaj ish-krerëve të saj. Sot u dëshmua se mund të ndërtohet vullnet i përbashkët për mbrojtjen e vlerave tona. Tani kërkojmë që i njëjti vullnet të dëshmohet edhe në votimin e ligjit”, thuhet në postim.