Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KPMSHCK-së.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka njoftuar se sot e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
Sipas tij, ekzistojnë dyshime që Qeveria duke bërë ndryshime në këtë Ligj, e ka shkelur Kushtetutën.
“Sot në Gjykatën Kushtetuese e dorëzuam kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KP MSHCK-së. Ne siç e dini pothuajse në fillim të këtij mandati e kemi kontestu shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli në Gjykatën Kushtuese dhe kjo gjykatë na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucione. Fatkeqësisht ky Ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë Gjykata në atë vendim paraprak prandaj ne sot i kemi kontestu prapë ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj”, deklaroi ai.
“Këto ndryshime e kanë vetëm një qëllim. Ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, në mënyrë qe ai të kthehet në një mekanizëm qe i legjitimon, përkrahë, nuk i ndalon punësimet politike, partiake, të militanteve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, theksoi Gruda.
Ndërsa, avokati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Faton Fetahu ka thënë se janë të paktën katër shkelje të këtij ligi të cilat PDK-ja i ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese dhe të cilat pret të rrëzohen aty.
“E para, pushteti zgjodhi që të propozojë zhveshjen nga imuniteti i të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyres. Imuniteti është instrument kushtetutes që ua garanton Kushtetuta. E dyta, shumica parlamentare ka propozuar që të përjashtohen nga fushëveprimi i kontrollit të ligjshmërise nga ana e Këshillit pozitat e nivelit të lartë drejtues. Janë mijëra pozita të tilla që përjashtohen nga kontrolli – në mënyrë që të mundësohet kapja dhe nënshtrimi i institucioneve përmes veprimeve të shpejta. E treta, është rritja absurde e anëtarëve të këtij Këshilli, nga shtatë në pesëmbëdhjetë”, tha Fetahu.
“Kjo rritje e numrit ka për qëllim të dërgojë militantet partiak në këtë Këshill, që të kenë mbivotim në çështjet që ata dëshirojnë. Po ashtu, e katërta, është propozimi për pezullimin e vendimeve të Këshillit, nëse të njëjtit atakohen nga Qeveria në Gjykatë. Vendimet e Këshillit gjithmonë zbatohen, pavarësisht nëse lënda shkon në Gjykatë”, theksoi Fetahu.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë gjithmonë vigjilente ndaj tendencave të pushtetit për të shkelur Kushtetuten e Republikës së Kosovës dhe të gjitha ato tendenca do t’i adresojmë në Gjykaten kushtetuese”, pohuan Gruda dhe Fetahu.
/TV Arbëria