Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “PDK drejt ndarjes së brendshme” – Qarri: Fitorja e Hamzës vazhdon politikën humbëse, Hoxhaj mund të sjellë reformë

“PDK drejt ndarjes së brendshme” – Qarri: Fitorja e Hamzës vazhdon politikën humbëse, Hoxhaj mund të sjellë reformë

Zgjedhjet e brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës po shoqërohen me debate të ashpra dhe pikëpyetje të shumta rreth mënyrës së organizimit të tyre. Analisti politik, Gani Qarri, ka komentuar zhvillimet pas konfirmimit të kandidaturës së Enver Hoxhajt përballë Bedri Hamzës, duke ngritur kritika të forta ndaj procesit dhe strukturave të brendshme të PDK-së.

Qarri thotë se ajo që po ndodh në PDK nuk ngjan me një garë të mirëfilltë demokratike, por me një “bartje të stafetës”, të cilën ai e cilëson si të ngjashme me praktika autoritare.

Duke iu përgjigjur pyetjes pse PDK nuk ka hapur garë të hapur për kryetarin e ri, Qarri deklaron se:

Kjo ç’ka është tentu të bëhet ka qenë më shumë një bartje e stafetës prej z. Memli Krasniqi tek z. Bedri Hamza, shumë më shumë se sa një garë e brendshme partiake. PDK si duket nuk ka dashtë të hapë garë të brendshme sepse është në një fazë tranzicioni, janë në pritje të rikthimit të liderëve historik”.

Ai shpjegon se veprimet e ish-kryetarit Memli Krasniqi kanë minuar rëndë besimin te votuesit e PDK-së, duke e lidhur dështimin në zgjedhjet lokale me vendimin e tij për të mbështetur kandidatin e LDK-së në Prishtinë.

Vendimi personal i Memlit për ta mbështetur LDK-në në Prishtinë, do të ishte fatal për karrierën e tij, i cili pas këtij gabimi ndoshta kurrë më nuk do të mund të rikthehet në pozicionin që kishte”.

Qarri thekson se pas dorëheqjes së Krasniqit, u krijua një terren i përgatitur për kalimin automatik të lidershipit te Bedri Hamza, gjë që ka shkaktuar reagime të forta brenda partisë.

Fakti se PDK nuk hapi asnjë garë të mirëfilltë për kryetarin e ri… ai e shndërroi edhe postin për kryetar në luftë të brendshme për marrjen e kryesimit të PDK-së”.

Lidhur me pyetjen se çfarë do të nënkuptonte fitorja e Bedri Hamzës, Qarri paralajmëron se kjo do të mbante në pushtet të njëjtin rreth të vjetër.

Kjo nënkupton vazhdimin e politikës së deritanishme humbëse të PDK-së dhe vijimin e mbisundimit arbitrar të klanit arkaik të Sami Lushtakut & Co”.

Ndërsa për mundësinë që Enver Hoxhaj të marrë drejtimin e partisë, ai shprehet më optimist.

Po qese kryetar i ri i PDK-së zgjidhet Enver Hoxhaj, besoj se do të ketë përpjekje për reformim… nëse Hoxhaj arrin t’ia heqë nga dora sundimin primitiv klanit arkaik në krye me Sami Lushtakun”.

Megjithatë, ai paralajmëron se situata brenda partisë mund të përshkallëzohet nëse vazhdojnë përplasjet e brendshme.

“Përndryshe mund të eskalojë gjendja deri në krijimin e fraksioneve brenda partisë, nëse nuk do të ndodhë edhe ndarja përfundimtare e saj”.

Sipas Qarrit, PDK është në një udhëkryq të rëndësishëm dhe mënyra si do të zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri, do të përcaktojë fatin e saj politik në zgjedhjet e ardhshme.