Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Pavarësisht se çfarë qeverie formon Kosova në asnjë mënyrë të mos bëhet argat i evropianëve –

Pavarësisht se çfarë qeverie formon Kosova në asnjë mënyrë të mos bëhet argat i evropianëve –

Shkruan: Agron Hoti

 

Është jetike që Kosova (pavarësisht se çfarë qeverie formon) në asnjë mënyrë të mos bëhet argat i evropianëve – që ishin kapur nga Rusia deri në shkurt 2022 – për t’i refuzuar, kështu, amerikanët siç mjerisht edhe pati vepruar Kosova kur e pati refuzuar Marrëveshjen e Uashingtonit të shtatorit 2020 mes Kosovës dhe Serbisë dhe ku bashkë me të për 5 vite rresht pati vazhduar të refuzojë çdo gjë që vinte nga Amerika, duke filluar nga politika e saj deri te ekonomia dhe projeksionet që synonin shpëtimin e Kosovës dhe Ballkanit pas pothuajse vdekjes së perspektivës evropiane që pati ndodhur që me daljen e Britanisë së Madhe nga BE.

Dy gjëra s’duan evropianët në Ballkan, sado që mundohen t’i maskojnë ato:

1) Evropianët nuk duan një Ballkan që zhvillohet ekonomikisht në mënyrë që ky rajon të shpopullohet sa më shumë, sepse rinia e Ballkanit (aq e nevojshme dhe aq e pazëvendësueshme për ekonomitë evropiane në plakje e në rënie) është më e pranueshmja, krahasuar me popullsitë afro-aziatike që po ua rrisin të djathtën ekstreme atje dhe që po paralizojnë vendimmarrjen evropiane. Prandaj, evropianët qëllimisht s’investojnë në Ballkan dhe për ta arsyetuar këtë e përdorin “mosluftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar” si arsyetim politik. Ndërsa po këta evropianë, që Ballkanit i kërkojnë standarde, e vazhdojnë edhe sot shumicën e tregtisë dhe investimeve të tyre me vendet më të superkorruptuara dhe superkriminalizuara në glob duke filluar nga Rusia, Bellorusia, Ukraina, Kazakistani, Kina, India, Meksika, Brazili, Kolumbia, Venezuela, Indonezia, Vendet Arabe, Turqia, Pakistani, Irani, Vende Afrikane, etj. Paramendoni, sikur evropianët të kishin zhvendosur fabrika dhe investime në Ballkan që nga koha e rënies së komunizmit (1991) e deri me sot, atëherë rajoni jonë për 34 vite (1991-2025) do të ishte ndërtuar barabartë – nëse jo edhe më shumë – sesa Polonia, Çekia, Portugalia, Spanja, etj. Paramendoni, evropianët na e kritikojnë arsimin si të dështuar, ndërsa na i marrin mjekët, inxhinierët dhe zanatlitë që automatikisht dhe menjëherë integrohen në tregun e punës atje.

2) Evropianët nuk duan një SHBA që ua merr tregun e Ballkanit, sepse kjo automatikisht do të thoshte humbje për evropianët, aq më pak nëse një Ballkan (që është sa Koreja Jugore) do të zhvillohej ekonomikisht dhe ku pastaj do t’u bënte konkurrencë ekonomive evropiane që po humbin tregje në Azi, Afrikë dhe Amerikë Latine si rezultat i dinozaurëve aziatikë me Kinën, Japoninë, Indinë dhe Azinë Juglindore në epiqendër të të gjitha zhvillimeve. Duhet përmendur këtu se askund nuk janë parë më shumë dhe më hapur kontradiktat SHBA-BE sesa te ndërtimi i autostradave të Kosovës që u bënë nga amerikanët dhe turqit. Këtu evropianët patën ndërtuar një inxhiniering të tërë politik brenda dhe jashtë Kosovës, kuptohet të ndimuar fuqishëm dhe nga serbët e rusët, për të parandaluar, kështu, çfarëdo projekti tjetër të madh amerikan në tokë të Kosovës. Dhe ashtu edhe ndodhi, sepse krahas dhe pas përfundimit të autostradave një pjesë e politikës së Kosovës (e mbështetur fuqishëm nga evropianët e kapur nga rusët) po luftonte, poshtëronte dhe stërkeqte para popullit çdo gjë që po vinte nga SHBA dhe ja ku jemi sot, në Kosovë mjerisht ka rritje të frikshme të antiamerikanizmit, saktësisht siç i intereson më së shumti Serbisë dhe Rusisë.

Sigurisht që Kosova duhet të bashkëpunojë me BE për t’u integruar aty, sepse integrimin në BE e kemi të pa-alternativë, por në aspektin e sigurisë dhe zhvillimit ekonomik Kosova, pas dështimit të BE-së e ka jetike ta rikthejë besimin e humbur te SHBA, sepse pa ndihmën e SHBA-së do t’i kemi dyert e mbyllura në glob, saktësisht siç na u kanë mbyllur sot (shih mosanëtarësimi në Këshill të Evropës, ndalja e njohjeve të shtetit të Kosovës, mosanëtarësimi në organizata ndërkombëtare, mungesa e investimeve, kriza energjetike, bllokimi i perspektivës evropiane, etj.).

Nëse Kosova vërtetë dëshiron që sa më shpejtë t’i shpëtojë shpopullimit të frikshëm të saj siç po ndodh edhe gjëkundi në Ballkan, shpopullim ky i nxitur nga mosinvestimet e qëllimshme të BE-së, atëherë ajo duhet të trokasë sa më shpejtë në dyert e Shtëpisë së Bardhë për t’u koordinuar me të për sigurinë tonë dhe zhvillimin ekonomik. Mos të harrojmë asnjëherë që Shtylla e IV e UNMIK-ut që ishte ekonomia jonë ka qenë e drejtuar zyrtarisht nga BE nga viti 2000-2008 dhe se faji për de-industrializimin e Kosovës dhe privatizimet jo shumë të suksesshme janë që të gjitha të saj, shto këtu dhe injorancën tonë që për fat të keq vazhdon të lulëzojë si asnjëherë më parë.