Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pasioni i pushtetit për ringjalljen e temave të vdekura politike

Pasioni i pushtetit për ringjalljen e temave të vdekura politike

Shkruan: Afrim Kasolli

Është bërë e zakonshme që ky pushtet të angazhohet për tema mortore politike. Pasi i shpall të vdekura papritmas përkushtohet dhe zotohet për t’i ringjallur nga varri e për t’u dhënë jetë

Të gjithëve na kujtohet se si kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla kohë më parë, në Top Story, kishte deklaruar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, kishte vdekur. Këtë kumt ajo e kishte shpallur pas sulmit paramilitar serb me 24 shtator në fshatin Banjë në pjesën veriore.

Ndërkohë, përfaqësuesit e pushtetit në Kosovë si Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti si dhe krye parlamentari Konjufca deklaronin se pas asaj ngjarje edhe dialogu me Serbinë, pa ndëshkimin ndërkombëtar të kësaj të fundit, nuk do të merrej në konsideratë.

Por pa kaluar shumë kohe, kryeministri Kurti në funksion të kësaj agjende në muajin tetor të vitit të kaluar, udhëtoi për në Bruksel në margjina të samitit të BE-së, për t’u takuar me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarin e Brukselit për dialogun, Mirosllav Lajcak, si dhe liderët e shteteve kryesore të Unionit, si presidentin Emanuel Macron, kancelarin Olaf Sholz dhe kryeministren italiane Gergioa Meloni. Nga ato takime kishte dalur, draft-statuti i Asociacionit, të cilin drejtuesit e shtetit atëbotë e mbronin me pasion si arritjen më të madhe politike për Kosovën. E të mos flasim këtu për sa e sa takime në nivel të kryenegociatorëve.

Ndërkohë, zotimi për ta ngjallur atë nga varri kishte ndodhur me letrën që tre krerët e shtetit i kishin dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bokjanis në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku betoheshin për zbatimin e këtij obligimi në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Ky pasion për ringjallje të temave të vdekura politike u përsërit në letrën që ministrja e Punëve të Jashtme, ia kishte dërguar, Këshillit Ministror të KiE-së, se pa hezitim do ta dërgojnë draft-statutin në Gjykatë Kushtetuese, më kusht të votimit pro Kosovës për anëtarësim nga ky trup vendim marrës i Këshilli të Evropës.

Këtë prirje për metapsikozë politike, pushteti e manifestoi edhe dje. Krye parlamentari Konjufca, e shpalli edhe një herë të vdekur dialogun dhe pohoi se arkivolin e ka pasur me sulmin në Banjë. Por, paralelisht me këtë ceremoni mortore nuk kanë munguar angazhimet për organizmin e një takimi tjetër në Bruksel në nivel të krye negociatorëve ndërmjet zv. kryeministrit Besnik Bislimi dhe homologut të tij nga Serbia, Petar Petovic, nën drejtimin e Mirosllav Lajcakut.

Pra shihet qartë se aplikimi i metodës magjike të transmigrimit politik nga pushteti, për tu dhënë jetë atyre që i shpall të vdekura, nuk është asgjë tjetër, pos trullosje e opinionit publik varësisht nga nevojat dhe interesat e ditore politike./tvarbëria/

Powered by WordPress