Kryetari i Partisë Republikane në Serbi, Nikola Sanduloviq, deklaroi në një intervistë për RTK-në, se nuk ka kryer asnjë vepër penale për çka akuzohet.
Sanduloviq paralajmëron se do të kërkojë përgjegjësi ligjore për torturën qe e ka përjetuar.
“Më rrahën, më rrahën dhe më kërcënuan mua dhe familjen time. Kjo tregon se në çfarë lloj sistemi jetojmë. Unë nuk do të ndërhyj dhe ndikoj në hetim në asnjë moment, por do të kërkoj përgjegjësi të plotë për atë që më ndodhi. Nëse ka drejtësi dhe nëse prokuroria në Serbi është e pavarur, atëherë do të zbulohet rasti im”, tha ai.
Sanduloviq, i cili është në përkujdesje në shtëpi pas lirimit nga paraburgimi, tha se i është nënshtruar dhunës disa orëshe nga pjesëtarët e BIA-s. Si pasojë, ai ka tani lëndime të rënda trupore.
BIA dhe prokuroria mohuan se Sanduloviq i është nënshtruar torturës.
Ai akuzohet “për veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.
Kjo pasi në rrjetet sociale, Sanduloviq njoftoi se ka kërkuar falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe ka vendosur lule në varret e familjes Jashari në Prekaz.