Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Pasaportat ilegale të Serbisë shkelin sovranitetin e Kosovës”

“Pasaportat ilegale të Serbisë shkelin sovranitetin e Kosovës”

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ka reaguar ndaj vendimit të Komisionit për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme të Parlamentit Evropian pas miratimit të  raportit për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë.

Kadiu në Facebook tha se institucionet e Kosovës shprehin keqardhje për votimin e sotëm në LIBE, i cili sipas tij, nuk reflekton realitetin e së drejtës për udhëtime pa viza të qytetarëve nga komuniteti serb.

“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumente të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre”, ka thënë Kadiu.

Sipas tij, pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, andaj siç tha ai, nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi.

“Ritheksojmë se pasaportat ilegale të lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, andaj dhe nuk mund të njihen apo të jenë dokument i vlefshëm udhëtimi. Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së. Shtyrja para e këtij propozimi, ka impakt negativ në integrimin e komunitetit serb në Kosovë, por edhe në procesin e dialogut. Që prej momentit kur është iniciuar ky propozim nga Komisioni Evropian, i kemi informuar vazhdimisht të gjitha institucionet e BE-së për pasojat dhe efektet negative të një vendimi të tillë”, tha tutje ai.

 

Powered by WordPress