Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelji, pas vizitës që realizoi në Serbi është nisur drejt Malit të zi për të diskutuar prioritetet e reformës në kuadër të procesit të pranimit në BE dhe Planit të Rritjes.
Siç është njoftuar nga Shtëpia Evropiane, ai do të vizitojë Malin e Zi sot dhe nesër, më 15 dhe 16 maj.
Varhelji gjatë vizitës do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, për të diskutuar mbi reformat prioritare për përmbushjen e standardeve të përkohshme në kapitullin për sundimin e ligjit.
U njoftua se Varhelji do të vizitojë gjithashtu projekte të financuara nga BE, të tilla si nënstacioni i transformatorit Lastva dhe impianti i trajtimit të ujërave të zeza në Tivat/Kotor.
Në Kotor, komisioneri do të marrë pjesë në samitin e tretë rajonal për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili do të organizohet nga kryeministri Spajiq.
“Duke mbledhur të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, samiti në Kotorr do të funksionalizojë më tej Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Pas samitit në Tiranë, ku u ra dakord për bashkëpunimin për një zonë të vetme pagese evropiane, korridoret e gjelbra/bashkëpunimi doganor, WiFi4WB dhe Qendrave evropiane të inovacionit dixhital, Kotorrit do t’i identifikohen tre veprime shtesë bazuar në Planin e Rritjes së Komisionit: Vlerësimi i Konformitetit dhe Marrëveshjet e Pranimit, Siguria e Furnizimit të Barnave Kritike dhe Portofoli i Identitetit Dixhital të Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratë.