Drejtori i CIA-s, William Burns zhvilloi sot një takim në Sarajevë me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe më pas shkoi në Presidencën e BeH ku zhvilloi takime me krerët e shtetit dhe ministrin e Jashtëm, Elmedin Konakoviq.
Konakoviq zbuloi disa detaje të bisedës me amerikanin, duke e cilësuar vizitën të rëndësishme.
“Ky është një konfirmim që SHBA i mban në krye të prioriteteve këto zona tona, veçanërisht Bosnjë-Hercegovinën. Kjo do të thotë shumë për stabilitetin e rajonit tonë. Ardhja e njeriut të parë të CIA-s është mesazhi më i qartë i administratës amerikane për të gjithë në rajon dhe në botë se administrata amerikane është shumë e pranishme”, tha Konakoviq për gazetën boshnjake Avaz.
Për drejtorin e CIA, ai tha se “e njeh shumë mirë situatën”.
“Folëm për proceset në BeH, rëndësinë e NATO-s dhe integrimit evropian, për atë që na shpejton dhe na ngadalëson, dhe në një pjesë kemi pasur edhe shkëmbime të informacioneve që nuk janë për publikun e gjerë. Mirëpo, është vetëm një konfirmim se administrata amerikane po merret seriozisht me Bosnjë e Hercegovinën, gjë që është shumë inkurajuese”, tha Konakoviq.
“Avaz” shkruan se Burns do ta vazhdojë vizitën e tij në rajon, duke shkuar nga Sarajeva në Beograd. I pyetur nëse ky është një mesazh për fokus më të madh të SHBA-së në rajonin tonë, Konakoviq tha:
“Sigurisht që është. Ata do të shkojnë në disa destinacione të tjera në rajon dhe kjo tregon se ata po e shikojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi, i cili është shumë i rëndësishëm për ne. Është gjithashtu e rëndësishme për ne që të qetësohet dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të qetësohen disa pika të nxehta, t’i drejtohemi ekonomisë dhe ardhmërisë së këtij rajoni, e jo konkurrencës dhe bërtitjes së vazhdueshme mbi faktet historike. Është e sigurt se edhe prania amerikane shkon në atë drejtim – në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve në rajon dhe kthimit në atë që është më e rëndësishme për qytetarët”, tha Konakoviq.