Presidenti amerikan, Donald Trump, së fundmi ka bërë disa deklarata në lidhje me Kosovën që kanë zgjuar reagime në opinionin publik. Ai ka deklaruar se ka ndaluar një luftë të re mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes deklaratave të tij të fundit, dy herë ka përmendur rastin e Kosovës që ka ndaluar një luftë të mundshme me Serbinë.
Pas këtyre deklaratave, nuk ka munguar as reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit. Ajo, në një organizim të bërë në Uashington në Universitetin Johns Hopkins, ka folur për një sërë çështjesh, por edhe për këto deklarime të Trump, ajo ka thënë se ka konfirmuar ato që tha presidenti amerikan, duke nënkuptuar se ka qenë e informuar dhe se këto kërcënime për luftë kanë ndodhur kohëve të fundit.
“Ai është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit; nuk po flet për Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila gjithashtu është një kontribut i presidentit Trump, dhe as për sulmin në Banjskë, aktin e agresionit të vitit 2023,” tha ajo, kjo është një pjesë nga fjalimi i Osmanit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në raste të tilla, thotë se Presidentja “mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme.”
Lidhur me këtë, TV Arbëria ka tentuar të marrë një përgjigje nga Presidenca e Kosovës, se a ka pasur ndonjë ftesë nga ana e Presidencës për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Por të njëjtit nuk kanë kthyer deri më tani përgjigje rreth pyetjes.
Për këtë temë, në një prononcim për TV Arbëria ka folur analisti Arbnor Sadiku. Ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me një rrezik real, pasi sipas tij KFOR-i është prezent në Kosovë.
Analisti këtë akt nga presidentja e quan politik dhe diplomatik kundrejt politikave të SHBA-së.

“Ma tepër ka të bëjë me nuhatjen e presidentes rreth politikave të presidentit Trump, që do duhej të përshtateshin nga Kosova, sesa që flitej për një rrezik real, sepse KFOR-i ishte prezent në Kosovë dhe siguria jonë ishte garantuar 100%, ndonëse ky veprim i presidentes mund të quhet veprim me takt politik dhe diplomatik karshi politikave të SHBA-së,” ka thënë analisti Arbnor Sadiku. /TVARBËRIA