Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Partneriteti i ndryshëm i SHBA-ve me Shqipërinë dhe Kosovën

Partneriteti i ndryshëm i SHBA-ve me Shqipërinë dhe Kosovën

Dita e djeshme, më shumë se asnjë herë tjetër, e kristalizoi qëndrimin gati diametralisht të ndryshëm në raport me Shqipërinë dhe Kosovën. Në rastin e Kosovës, Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një konferencë për media para Ambasadës amerikane, iu kundërpërgjigj pretendimeve të zyrtarëve të pushtetit se partneriteti bilateral ndërmjet dy vendeve nuk ka pësuar krisje as pas intervistës, se Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit James O’Brien, dhënë për Zërin e Amerikës.

Në këtë paraqitje publike ky zyrtar i lartë i administratës amerikane, u shpreh me tone më të ashpra se kurrë me parë ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me vendimin për ndalimin e dinarit serb në komunat e banuara nga ky komunitet.

Me këtë rast, J. O’Brien, pohoi se “qeveria e Kosovës e ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, dhe se nuk bëjë kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.

Në një interpretim paralel, një sërë zyrtarësh të qeverisë, duke filluar nga kryeministri Kurti dhe ministra të kabinetit të tij, e mohonin së është dëmtuar ky relacion. Për më shumë shqetësimet e ngritura në opinionin publik mbi pasojat e mundshme të kësaj politike, eksponentët e pushtetit i quajtën thjesht si “propagandë të Beogradit”.

Prandaj, për të dëshmuar se e kundërta është e vërtetë Ambasadori, Jeff Hovenier, deklaroi hapur para qytetarëve të Kosovës se partneriteti ndërmjet dy vendeve nuk është në nivelin si ka qenë, për shkak të sjelljes shpërfillëse të Qeverisë së Kosovës ndaj këshillave të Uashingtonit.

Për më shumë, përfaqësuesi i SHBA-ve në Kosovë, deklaroi se “janë të frustruar dhe shqetësuar me veprimet e Kosovës”. Për të dëshmuar sa dramatike është situata ai u përgjigjej në një formë të një pyetje “A e keni ju idenë se çfarë do të thotë të flas ashtu siç foli James O’Brien?”. E tëra kjo duke marrë parasysh edhe pozitën që e gëzon ky i fundit në kuadër të hierarkisë shtetërore dhe diplomatike të SHBA-ve.

Ndërkohë pak çaste pas këtyre kumteve shqetësuese diplomatike për Kosovën, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e shtetit shqiptar, Edi Rama, deklaroi se “marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se kurrë më parë. Përgjatë 15 vjetëve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë për të ruajtur paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO. Muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ne jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj”, pohoi ndër tjera, Antony Blinken më rastin e vizitës në Tiranë.

Kjo gjuhë e  kundërt e SHBA-ve për Shqipërinë dhe Kosovën brenda një dite dëshmon se partneriteti i tyre me Uashingtonin nuk është i njëllojtë. Kjo situatë bëhet më shqetësuese sidomos kur marrim parasysh rolin jetik të SHBA-vë në procesin e konsolidimit shtetëror të Kosovës.

Që nga viti 1998 Amerika ka ndarë deri mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën, shkruan Evropa e Lirë. Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-së kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Uashingtoni po ashtu është kryeqyteti që ndër të parët e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008. Kurse lobimi i tij ka qenë vendimtar në sigurimin e njohjeve të reja dhe pranimin në shumë organizata ndërkombëtare për shtetin e  Kosovës.

Mbetet të shihet se në çfarë drejtimi do të shkojnë këto tendosje? A do të tejkalohen ato, sepse siç tha vetë dje Hovenier, edhe “nëse kemi mos pajtime me Qeverinë e Kosovës, kjo nuk do të thotë se Amerika nuk do ta braktis popullin e Kosovës”.

/TV Arbëria