Shkruan: Afrim Kasolli
Kur zyrtarë të Bashkimi Evropian e paralajmëronin Qeverinë e Kosovës se mund të ndëshkohet më masa sanksionuese nëse e vazhdon kursin e saj në pjesën veriore, eksponentë dhe mbështetës të pushtetit e mohonin kategorikisht këtë mundësi. Për më shumë, ata deklaronin se nëse hipotetkisht ndodh një gjë e tillë, ajo do të ketë pasoja për vetë politikën zyrtare të Brukselit. Sepse me atë rast do të mobilizohej opinioni publik progresiv kundër këtij vendimi, do të tronditej estabilshementi politik evropian nga ky ndëshkim i viktimës dhe favorizim i agresorit. Në imagjinatën e tyre ishte krijuar bindja se do të mund të kishte një lloj reagimi masiv të ngjashëm si me kohën e vitit 1998 dhe 1999. kur aparati represiv i Milosheviqit po kryente spastrim entik në Kosovë.
Po ashtu, përkundër këtij përfytyrimi, si presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, mjaftoheshin me denoncimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, si agjent i presidentit rus Vladimir Putin. Kështu, liderët e Kosovës janë me Ukrainën si viktimë, ata të Serbisë me Rusinë agresive, dhe kjo me automatizëm e shtonte peshën e tyre rajonale gjeopolitike. Në këtë kontekst, të vetmin veprim që duhet ta bëjë Brukseli dhe liderët evropiane mbetet i izolimi ndërkombëtar i Aleksandër Vuçiq-it, si një Putin i vogël dhe të solidarizohet me Albin Kurtin si shpirti binjak i Volodymyr Zelensk-it.
Mirëpo, asgjë nuk e demaskuar me shumë këtë perceptim të simplikfuar të realitetit dhe iluzione të tilla, se sa partneriteti i ri ekonomik ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë, për shfrytëzimin e pasurive minerale të këtij shteti për nevojat e industrisë gjermane.
Kështu, në vend të izolimit të kryetarit serb ndodhi izolimi i kryeministrit të Kosovës. Sot ky i fundit është i margjinalizuar nga çdo forum serioz ndërkombëtar, përjashto ndonjë takim për dialogun në Bruksel. Po ashtu, në vend të investimeve të shtetit më fuqishëm ekonomik të Evropës, në shtetin me demokratik të Ballkanit Perëndimor, i pari i Qeverisë së Kosovës po mjaftohet me përurimin “Dritarës për Investime të Diasporës” ku siç dihet investimi më i madh deri më tani i kësaj kategorie ka qenë në sferën e patundshmërive.
Ndërkohë, në vend të mobilizimit të publikut progresiv evropian në favor të kauzës së Kosovës, në të vërtetë siç treguan zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian kemi më shumë edhe një zgjim të së djathtës ekstreme, e cila ka një pozicion armiqësor ideologjik në raport me shtetin e Kosovës. Kurse paradoksi më i madh i krejt kësaj anomalie është pikërisht fakti se social demokrati Scholz, për të cilin Albin Kurti i kishte bërë thirrje diasporës shqiptare në shtetin gjerman që ta votonin, me këtë praterneritet e fuqizoi pozicionin rajonal të Serbisë të zhytur në kthetrat e një të djathte nacionaliste ekstreme, më shumë se askush tjetër. Madje pak ditë para se nënshkruhej ky partneritet, i njëjti në buxhetin shtetëror për vitin e ardhshëm e ka propozuar përgjysmimin e ndihmës ekonomike dhe ushtarake gjermane për luftën mbrojtëse në Ukrainë.
Sidoqoftë, kjo shpërputhje ndërmjet pritjeve Qeverisë së Kosovës dhe realitetit nuk është e rastësishme, por ajo tregon më mirë se asgjë tjetër për keqleximin që pushteti aktual i ka bërë proceseve politike si rajonale ashtu edhe globale në këtë kohë të trazuar, pasojat e të cilave ka filluat t’i përjetojë me të madhe shteti i Kosovës.