Partitë politike në Kosovë tashmë kanë filluar t’i “ndezin motorët” për fushatën e tyre elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Janë veçmas partitë opozitare në vend, ato që kanë mbajtur tubime paraelektorale nëpër qytete të ndryshme brenda Kosovës, por edhe jashtë Kosovës me degët e tyre dhe përkrahësit e tyre në diasporë.Përveç mbajtjes së tubimeve paraelektorale, partitë politike e sidomos ato opozitare, kanë prezantuar edhe aderimet e reja politike nëpër subjektet e tyre, e ku disa prej tyre janë propozuar edhe kandidatë për deputetë.
PDK-ja, ka prezantuar deri më tani disa nga aderimet e reja në këtë parti. Arbër Behluli, djali i këngëtares, Shkurte Fejza, i paraprirë me Altin Krasniqin, djali i Jakup Krasniqit, ish-sekretarit i kësaj partie, pastaj gazetari kosovar, Drin Ejupi, Sala Jashari e emra të tjerë janë prezantuar si prurje të reja në këtë parti e që këta aderues do të jenë edhe kandidat për deputet.Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës, është ajo që ka përfunduar e para listën e saj me emrat e kandidatëve për deputet të cilën e ka bërë publikë. Po ashtu edhe në LDK ka pasur aderime të reja, siç ishte Lulzim Zhegrova, babai i futbollistit kosovar, Edon Zhegrovës ,fituesi i Big Brother VIP Kosova të vitit të kaluar, Lumbardh Salihu, deputetja e VV-së, Drita Millaku, Hysen Çekaj, djali i Sali Çekajt janë disa nga aderimet e LDK-së e poashtu edhe që do të jenë kandidat për deputet.
Në koalicionin AAK-NISMA, po ashtu ka pasur aderime. Deputeti Haki Abazi, analisti politik, Arton Demhasaj, janë emrat e fundit që i janë bashkuar AAK-së¸derisa NISMA-s iu ishte bashkuar ish-deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku.Ndryshe nga partitë opozitare, por ndryshe edhe nga zgjedhjet e kaluara, përkundër qëndrimit të saj në pushtet për katër vite, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje, është i vetmi subjekt politik që nuk ka prezantuar ndonjë kandidat për deputet e madje as nuk e kanë prezantuar ndonjë aderim të ri.
Kjo thuajse ndodhë për herë të parë në historinë politike të Kosovës, kur një subjekt politik qëndron në pushtet për katër vite, por që nuk prezanton ndonjë aderim.Kujtojmë se afati i fundit për partitë politike për ta dorëzuar listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputet është me 11 dhjetor 2024.
Deputeti i VV-së: Do kemi emra të rinj në listë, VV-ja do të thyej rekordin e zgjedhjeve të vitit 2021Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, për FrontOnline thotë se në listën e VV-së do të ketë emra të rinj dhe se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së kësaj partie është votuar kalimi për përpilimin e listës përfundimtare të kandidatëve për deputet.
”Sigurisht që do të ketë emra të rinj në listën e Lëvizjes. Dje kemi pasur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe është votuar që të kalohet përpilimi i listës përfundimtare të Kryesisë së VV-së dhe sigurisht që me afat të caktuar do të dihen edhe emrat’’ thotë ai.Ai shprehet i bindur se VV do të jetë fituese dhe se do të thyejnë rekord të votave.
‘’Do të ketë edhe emra të ri në listë dhe lista e VV-së është listë fituese dhe presim dhe jam i bindur se do e thyejmë edhe një rekord të ri krahasuar me 14 shkurtin e vitit 2021’’ potencoj Thaçi për FrontOnline.Paralajmëron nënkryetarja e PDK-së: Do të kemi aderime të reja, ato i konsiderojmë aset për të mirën e vendit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mimoza Ahmetaj, për FrontOnline, theksoi se aderimet e reja do të kenë një ndikim pozitiv për partinë e tyre.Ajo shtoi se PDK është gjithmonë e hapur për ata që besojnë në idenë, platformën dhe programin e kandidatit për deputet të kësaj partie, Bedri Hamzës.
‘’Natyrisht që do të ketë efekt pozitiv dhe kjo tregon se PDK është e hapur për të gjithë ata që besojnë në idenë, platformën dhe programin e z,Hamza dhe të PDK-së’’ shprehet ajo.Ahmetaj, potencon se si PDK janë të hapur çdo here për aderime të reja dhe sipas saj, ato i konsiderojnë si aset që mund të i kontribuojnë vendit.
‘’Ne çdo herë jemi të hapur për ardhje të reja dhe çdo herë ato ne i konsiderojmë si aset që i kontribuon vendit dhe shoqërisë kosovare dhe për ta implementuar programin e z.Hamza dhe të PDK-së’’ tha ajo për FrontOnline.Nënkryetarja e PDK-së, thotë se nuk e përjashtojnë mundësinë edhe të aderimeve tjera.
‘’Ne asnjëherë nuk e përjashtojmë mundësinë e aderimeve të reja deri në momentin e fundit’’ deklaeroj Ahmetaj.Haziri: LDK-ja do e bëjë ndryshimin së pari në Kosovë e pastaj në Gjilan, ky qytet mbetet “dashuria ime e parë”
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, për FrontOnline, deklaroi se lista e kandidatëve të LDK-së është mbyllur dhe se partia e tyre ka bërë reforma të rëndësishme brenda strukturave të saj. Ai theksoi se LDK është partia e parë që ka realizuar një reformë të brendshme dhe ka miratuar një program qeverisës, duke punuar në angazhime strukturore dhe politike pas zgjedhjeve lokale.‘’Lista e LDK-së është mbyllë dhe ne jemi partia e parë që kemi shkaktuar reformë të brendshme edhe që kemi miratuar programin qeverisës dhe nga miratimi i tij, kemi punuar në angazhime të brendshme strukturore dhe në politika si parti më e madhe opozitare pas zgjedhjeve lokale’’ thotë ai.
Haziri potencoj se LDK ka punuar ngushtë me qytetarët dhe jo me funksionarë, duke zhvilluar takime të drejtpërdrejta me ata në fshatra duke shtuar se me listën e re të kandidatëve, e cila është ndërtuar mbi parimin e përfaqësimit të politikave të LDK-së, do të ketë një ndryshim të madh në nivel vendi.‘’Ne kemi punuar me njerëz dhe jo me funksionar. Kemi pasur takime të drejtpërdrejta me qytetarët, me fshatra, lagje, me grupet e interesave, atyre nga ekonomia, sporti, energjia.., tani një listë e re dhe e freskuar dhe e ndërtuar mbi parimin e përfaqësimit të politikave të LDK-së, është një ndryshim i madh që është shkaktuar dhe një ndryshim i madh që do të shkaktohet në nivel vendit’’ shprehet Haziri.
Nënkryetari Haziri, tha ka folur edhe për kandidimin e tij për deputet pas disa vitesh, Ai u shpreh se tani është i fokusuar për të mbështetur liderin e LDK-së dhe për të kontribuar në ndryshimin që do të vijë më 9 shkurt.Sipas Hazirit, ndryshimi në Gjilan do të vijë natyrshëm pas ndryshimeve të nivelit kombëtar. Ai theksoi se, edhe pse aktualisht është kryetar i LDK-së në Gjilan, ky qytet do të mbetet gjithmonë prioriteti dhe motivi i tij, ndërsa tani është e angazhuar për ndryshimin e Kosovës.
‘’Unë rikthehem për garën e deputetit pas disa viteve, kam ndërprerë në vitin 2013, jam kthyer në Gjilan, kam fituar Gjilanin dhe kam udhëhequr atje, tani rikthehem një garë që do e përfaqësoj LDK-në në Kuvend. Tash jam i fokusuar që ta ndihmoj liderin e LDK-së, kur të vijmë tek ura e tjetër pastaj vendosim, tash është synimi me u shkaktu ndryshimi me 9 shkurt, masndej ndryshimi në Gjilan do të vije natyrshëm’’ shprehet ai për FrontOnline.Ai theksoi se, edhe pse aktualisht është kryetar i LDK-së në Gjilan, ky qytet do të mbetet gjithmonë prioriteti dhe motivi i tij, ndërsa tani është e angazhuar për ndryshimin e Kosovës.
‘’ Derisa jam kryetar i LDK-së në Gjilan, natyrisht që e ruaj si prioritet sepse Gjilani mbetët motivi dhe dashnia ime e parë. Por tani jemi të angazhuar për ndryshim në Kosovë’’ përfundoj Haziri.Muhaxhiri: Aderimeve të reja u zbehet zëri nga ‘’ujqërit e vjetër’’ të partive politike
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, për FrontOnline, aderimet nëpër parti politike i konsideron si të domosdoshme, por që shprehet skeptik për hapësirën e tyre në partitë ku figurat e ndryshme aderojnë.”Parimisht aderimet janë të domosdoshme sepse sjellin potenciale të reja profesionale e intelektuale për cilat ka nevojë skena politike kosovare, mirë po nga e kaluara është dëshmuar që edhe pse intelektualët apo gazetarët i janë bashkuar partive politike, nuk kanë gjetur tek ato një hapsirë të volitshme, për ta zhvilluar pikëpamjet e tyre dhe kanë përfunduar karrierat e tyre politike’’ thotë ai.
Muhaxhiri, potencon se me kalimin e kohës zëri i figurave që aderojnë nëpër parti politike, zbehet dhe përjashtohet siç thotë ai nga zëri dhe fuqia e figurave politike të cilat i quan si ‘’ujqërit e vjetër’’‘’ Pas një kohe zëri i tyre zbehet, dhe përjashtohet nga ”ujqit e vjetër”, të cilët kanë pushtet ekonomik e parapolitik’’ tha Muhaxhiri.