Kyrylo Budanov, shefi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës (DIU), beson se ekonomia ruse do të “rezistojë” vetëm deri në vitin 2025 nëse agresioni kundër Ukrainës vazhdon dhe furnizimi i armëve të agresorit do të “shteret” në vitin 2026 ose më herët.
Sipas mediave të huaja, mes raporteve se Rusia është gati të shtojë fushatën e saj të mobilizimit, Budanov vuri në dukje se fuqia njerëzore është avantazhi i vetëm i qartë i Rusisë ndaj Ukrainës.
“Burimet njerëzore në Rusi janë relativisht të pakufizuara. Cilësia është e ulët, por sasia është e mjaftueshme”, citohet të ketë thënë ai.
Por, sa i përket aspekteve të tjera të përpjekjeve të luftës, Budanov beson se burimet e Rusisë po mbarojnë dhe se koha e shpagimit do të vijë së shpejti.
Ai thotë se ekonomia ruse “do të përballojë” vetëm deri në vitin 2025, dhe fluksi i armëve do të “shteret” në vitin 2026, “ndoshta më herët”.
Shefi i DIU beson se bisedimet e presidentit rus Vladimir Putin me Korenë e Veriut tregojnë qartë problemet e tij.
“Nëse gjithçka është në rregull dhe Rusia ka burime të mjaftueshme, pse po kërkon të tjera në të gjithë botën? Përgjigja është e qartë. Nuk ka asgjë për të nxjerrë më”, tha ai.
Ndërkohë, Budanov pranon se Ukraina rrezikon gjithashtu të shpenzojë burimet e veta.
“Ne jemi të varur nga lojtarët e jashtëm. Rusia është kryesisht e varur nga vetvetja”, ka theksuar ai.
Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë idenë se mbështetja për Ukrainën nga partnerët e saj së shpejti mund të zvogëlohet.
Ndryshe, në të njëjtën intervistë, Budanov kishte thënë se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës mund të jenë në gjendje të shkëputin korridorin tokësor të Rusisë me Krimenë e pushtuar përpara fillimit të dimrit.
/TV Arbëria