Shkruan: Afrim Kasolli
Filozofi i njohur gjerman, Georg Wilhelm Friedrich Hegel, në ligjëratat e tij mbi “Filozofinë e Historisë” ka treguar mbi disa nga shkaqet kryesore të erozionit të formacioneve politike gjatë historisë. Padyshim ato janë komplekse. Por përkundër varianteve të shumta që shpien në shthurjen e tyre, dy modele sipas këtij mendimtari mbesin më të njohura. Ato janë qyteti-shtet i Athinës dhe i Spartës. Këto dy entitete u davaritën nga e skena e historisë njerëzore, në të njëjtën kohë, por për arsye dhe shkaqe krejt të ndryshme.
Athina e përjetoi një shembje tragjike. Për shkak të zhvillimit të vetëdijes njerëzore, qytetarët e këtij polisi nuk ishin në gjendje ta duronin pafundësisht mosverifikimin subjektiv të rregullave, normave dhe standardeve morale, politike dhe kushtetuese, të cilat e formësonin jetën kolektive të këtij rendi, me një fjalë karakterin objektiv universal të tyre. Sokrati e hapi shtegun e këtij kontestimi.
Ndërkaq me inaugurimin e kësaj nisme hovëzoi edhe shtytja për afirmimin e interesave dhe qëllimeve partikulare. Instalimi i këtij “principi, i ngjashëm me atë të Sokratit, bazohet në besimin se ajo që duhet të konsiderohet e drejtë, e mirë dhe dobishme si për subjektin në raport më vetveten, ashtu edhe në relacion me shtetin, varet nga përcaktimi i tij i brendshëm dhe jo nga themeli i jashtëm universal”. Megjithatë parimi i vetë-përcaktimit individual do të shndërrohet në varrmihës shkatërrimtar për popullin e Athinës, sepse si i tillë nuk ishte identik me rregullat e jetës së asaj shoqërie.
Prandaj, me këtë kthim prej të përgjithshmes kah vetvetja u vulos dezintgerimi i atij formacioni unik në historinë e njerëzimit. Kështu gradualisht “mendja dhe fryma” e athinasve u zhduk nga bota. Megjithatë nga hiri i saj u ngjiz një frymë më e lartësuar nga e cila u avancua vetëdija njerëzore. Dënimi me vdekje i Sokratit dhe shkatërrimi i vetvetes ishte çmimi që Athina e pagoi për këtë mision sublim.
Nga kjo çarje tragjike lulëzuan parime më të larta, e të cilat u dëshmuan si principe vendimtare në zhvillimin e historisë së filozofisë. Në këtë mënyre edhe në rënie “Fryma e Athinës” e dëshmoi madhështinë e saj magjike. Të njëjtat nxitje dhe pasione e kapërthyen edhe Spartën. Pra sipas Hegelit edhe këtu individualiteti mori jetë kundër “substancës së përbashkët morale të komunitetit”.
Mirëpo mjerisht këtu “subjektiviteti partikular e shfaqi vetën si korrupsion i hapur, imoralitet i zbrazët, egoizëm vulgar dhe ryshfet i pamaskuar”. Të gjitha këto pasione e formonin pellgun e veseve ku banonin zyrtarët e lartë të këtij shteti, të cilët pjesën me të madhe të kohës jetonin të distancuar nga vendi i tyre dhe duke shfrytëzuar çdo shans të mundshëm për të siguruar përfitime personale dhe familjare në dëm të shtetit. Është ky fakt që e dallon shthurjen e Athinës katërçipërisht nga ai i Spartës.
Sepse e shembja e të parës u nxit nga mendimi, kurse e të dytës nga korruptimi. Prandaj rënia e saj është e palavdishme. Dhe ka mbetur një ngjarje e errët në faqet e historisë. Nuk do shumë mend për ta kuptuar se nga cili model janë duke buruar krizat dhe përçarjet e brendshme në kuadër të partive politike në Kosovë. Ndonëse asnjë subjekt nuk është imun nga këto tendenca vet destruktive, megjithatë ato aktualisht janë duke u shperfaqur në mënyrë më të hapur në PDK. Kjo është arsyeja që asnjë dallim në mendim nuk e ka shoqëruar fragmentarizimin e saj. Sepse konfliktet e brendshme nuk janë konceptuale, por personale, familjare dhe të kushtëzuara nga apetitet për përfitim.