Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se zgjedhjet lokale nuk janë thjesht për qeverisjen komunale, por kanë një peshë shumë më të madhe për të ardhmen politike të vendit.
Sipas tij, opozita po përgatitet që, pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, të tentojë ndryshimin e pushtetit qendror përmes një marrëveshjeje të fshehtë me Listën Serbe.
“Opozita po bëhet gati për ta ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe për të formuar qeveri në koalicion me Listën Serbe. Këtë tashmë kanë filluar ta thonë edhe hapur nëpër tubime lokale dhe studio televizive, nëse u kushtoni vëmendje”, ka shkruar Murati.
Ai paralajmëron se synimi i opozitës është që koalicioni me Listën Serbe të mos bëhet publik para zgjedhjeve lokale, për të shmangur humbjet politike, por që kjo marrëveshje të konkretizohet menjëherë pas tyre.
Në këtë drejtim, Murati ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar për bllokimin e Kuvendit dhe, sipas tij, për ndihmë indirekte ndaj planit të opozitës.
“Për zvarritje, një argat po ua bën edhe Gjykata Kushtetuese, e cila po e mban Kuvendin të bllokuar tash e një muaj”, shton ai.
Murati thekson se qytetarët duhet ta kenë parasysh këtë prapaskenë politike kur të dalin në votime për zgjedhjet lokale.
“Në këto zgjedhje lokale do të përcaktohet edhe se çfarë Qeverie do të ketë Kosova – një Qeveri Kurti 3 që e forcon shtetin, apo një qeveri që e pret Listën Serbe në Kuvend për 6 orë, derisa të kthehen nga Beogradi me instruksione për sabotim”. /TV Arbëria