Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Paralajmëron kryesindikalisti: Nëse s’ka rritje pagash, 120 punëtorët teknikë do të lënë punën

Paralajmëron kryesindikalisti: Nëse s’ka rritje pagash, 120 punëtorët teknikë do të lënë punën

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se 120 punëtorë teknik të shkollave në Prishtinë u janë bashkuar grevës me kërkesë për rritje page.

Pas vizitës që e bëri në Shkollën e Mesme “Naim Frashëri” në Prishtinë, Azemi deklaroi se të gjitha shkollat kanë hyrë në grevë, përjashtuar shkollën “Dardania”. Për këtë të fundit, shprehet optimist se do t’i bashkohet nesër grevës.

“Me përjashtim të shkollës ‘Dardania’ të cilët mendoj se gjatë ditës do t’i bashkangjiten, të gjitha shkollat janë në grevë dhe realisht kjo grevë ka ardhë si pasojë e presionit të punëtorëve. Nëse nuk realizohen kërkesat tona, në bazë të vendimit që e kanë sjellë punëtorët këtë javë do të negociohet, nëse nuk ka negocime atëherë javën tjetër të gjithë punëtorët do të lirojnë vendet e tyre të punës dhe do të sillen punëtorët tjerë. Është një diskriminim i llojit të tillë përderisa në të njëjtin vend në të njëjtën shkollë këta punojnë dhe marrin dikush 230 e dikush 270 euro, po të njëjtit punëtorë marrin 405 euro, ka buxhet por nuk ka ndershmëri. Po më duket që Komuna e Prishtinës sa më keq që është po i duket se është më mirë”, u shpreh Azemi.

E në rast se nuk përmbushën kërkesat e tyre, Azemi ka paralajmëruar largim të të gjithë punëtorëve nga shkollat e Kryeqytetit.

“Realisht që një vit ne negociojmë dhe nuk mund të qasemi ashtu si duhet dhe ka ardhë një kohë që ne nuk do të punojmë për të tjerët, ne do ta kryejmë obligimin tonë por duam pagesën tonë, nëse jo realisht nga java tjetër këta punëtorë nuk do të jenë këtu dhe Komuna le t’i gjejë punëtorë tjerë”, deklaroi Azemi, duke thënë se greva po respektohet 100 për qind.

“Numri i (punëtorëve që kanë hyrë në grevë) është rreth 120. Thash se ‘Dardania’ gjatë ditës hynë sepse ka qenë një moskoordinim i mirë në atë aspekt dhe greva po respektohet 100 për qind sipas marrëveshjes që është bërë”.

E Nazmi Veseli, punëtor teknik në shkollën “Naim Frashëri”, e konsideron të papranueshëm pagën që e merr.

“Për arsye se jem në grevë na kanë imponu pa qare pa dashjen tonë sepse rroga është shumë e ulët, 270 nuk janë kurrgjë, jemi duke kërkuar barazimin e kolegeve tanë që janë nën menaxhimin e komunës vetëm atë jemi duk kërkuar asgjë më shumë. Çdo herë na kanë thënë shtator, tetor do të këqyrim dhe për këtë arsye pa dëshirën tonë se po na vjen keq prej nxënësve sepse nxënësit janë duke e pësur, por na u ka imponur”, u shpreh ai.

Kërkesë të njëjtë ka edhe Nadire Buzuku, e cila mirëmban këtë shkollë.

“Jam punëtore e shkollës ‘Naim Frashëri’. Jemi hyrë në grevë për shkak të rrogës sepse 270 euro nuk po na dalin, megjithë shpenzimet që i kemi. Kemi kërkuar çdo herë, protesta, greva por nuk ka pas asgjë prej tyre. Asnjë shtet nuk ka më keq se na”, deklaroi Buzuku.

Vizitën Azemi evazhdoi në Shkollën e Mesme “Pjetër Bogdani”. Edhe aty, punëtorët teknik ishin në grevë.

Fazli Idrizi, kryepunëtor në Shkollën e Mesme “Pjetër Bogdani”, tha se greva e tyre është e imponuar për shkak të mosplotësimit të kërkesave të tyre.

“Na këtë grevë nuk e kemi filluar më dëshirën tonë por komuna na ka shty me bë këtë grevë për arsye se protestën më 23 nëntor që e kemi pas, nënkryetari Alban Zogaj na ka premtuar që do të ketë rritje të pagave prej muajit janar, 2024 por kjo nuk ka ndodhur. Ato kanë qenë vetëm fjalë të tyre edhe tjetër opsion na nuk kemi pas kemi fillu me grevë”, u shpreh ai.

E Fazli Sanolli punëtor teknik në “Pjetër Bogdani”, tha se nuk do të lejojë që t’ia zë vendin dikush.

“Që 34 vjet punoj këtu më ka shkuar jeta, jam munduar si për shtëpi timen. As s’ka shtet, as komunë. Duhet me i ardh marre të pafytyrëve, nuk e lejoj me ma zënën punën kurrkush”, u shpreh ai.

 

 

 

 

Powered by WordPress