Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Paralajmërimi frikshëm i James O’Brain për të ardhmen e Kosovës

Paralajmërimi frikshëm i James O’Brain për të ardhmen e Kosovës

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Të rralla janë rastet që një diplomat amerikan të formulojë kumte aq shqetësuese në një mënyrë tejet diplomatike dhe të qetë, sikur Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në intervistën e mbrëmshme në Kanal 10.

 

Përpos thirrjes për të lëvizur përpara sa i përket zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshjet e deri tanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduara në procesin e dialogut në Bruksel, ai pohoi se “është e domosdoshme shfrytëzimi i mundësive për të ecuar përpara, se më mund të mos ketë shumë kohë”. Kjo intervistë dallonte në shumëçka nga ajo e dhënë një ditë më herët në RTS në Beograd. Sepse deri sa në televizionin serb, ai deklaroi se Qeveria e Kosovës shpeshherë është përkujdesur shprehur metaforikisht ta “demonstrojë fuqinë më shumë se sa të drejtën” në Prishtinë ai ia njohu meritat Aleksandër Vuqicit që pas Bansjkës ka marra hapa konkretë “ që të tërheqë elementet e saj të dhunshme, dhe të cilat kanë ndikuar në të mirë të situatës”.

 

Mirëpo, përtej këtyre nuancave jo të parëndësishme, shqetësim mbetet konstatimi i tij se çdo ditë e humbur është një mundësi më pak. Një paralajmërim i tillë u pa edhe si  thirrje më shumë që Kosova ta shfrytëzojë momentin ku ende në administratën amerikane gjenden diplomatë  që e njohin problemin e Kosovës dhe se nesër të njëjtit mund të zëvendësohen siç edhe është duke ndodhur më diplomatë të rinj që kanë më pak ndjeshmëri për këtë temë.

 

Ky interpretim mund të jetë pjesërisht i saktë. Mirëpo, të vërteten e plotë e atij mesazhi mund të kuptojmë edhe si thirrje të James O’Brein, se Amerika nuk mund të ketë më “interes” për Kosovën dhe fatin e saj e ndërkombëtar, nëse nuk shfrytëzohen në maksimum mundësitë e pakëta dhe koha e limituar që ka mbetur në dispozicion. Dhe kjo jo pse Uashgintoni do ta ndërrojë pozicionin ndaj shtetit që ka meritat me mëdha në themelimin e tij. Apo se raportet miqësore do të konvertohen në armiqësore. Thjesht, për shkak të galvanizimit të tensioneve gjeopolitike në zona tjera të botës, SHBA-të do të detyrohen të ridefinojnë përcaktimin e tyre strategjik. Prandaj, ai formulim e transmeton edhe mesazhin se edhe Uashingtoni nuk do të ketë kohë të merret më me Kosovën. Dhe nëse Kosova vazhdon të jetë e bllokuar në aspektin ndërkombëtar, atëherë edhe pa mbështetjen e këtij shteti, vetëm sa do të përkeqësohej edhe më tej pozicioni i saj.

 

Pra ky riorientim i SHBA-ve do të jetë më shumë i natyrës gjeopolitike se sa që bëhet fjalë për ndryshime koniunkturale që mund të ndodhin në administratën amerikane. Sepse duke filluar që nga vitet ’90 e deri më tani, pavarësisht se cila parti ka qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë, ka ekzistuar një mbështetje bipartizane për Kosovën. Dhe po ashtu mungesa e interesit të theksuar do të jetë tipar i të dy partive. Ngase janë pikërisht interesat e tanishme nacionale amerikane, në një botë që po bëhet gjithnjë e më multipolare, dhe të karakterizuar nga rivalitetet gjeopolitike të shteteve me ambicie revizioniste ndaj këtij rendi, që do ta determinojnë këtë zhvendosje strategjike.

 

Kam shkruar edhe par pak dite se Kosova nuk do të ketë përfitime shtesë  si nga nga fitorja e Donald Trump ashtu edhe Kamala Harris. Për më shumë, sipas trendëve aktuale, edhe vetë kontinenti evropian tash e tutje nuk do të jetë me interes për SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, po ashtu është e vërtetë se Uashingtoni, sidomos nëpërmjet NATO-së, por edhe mekanizmave tjerë ka pasur një rol primar në dizajnimin e arkitekturës së sigurisë evropiane. Kjo e fundit kishte qenë me interes të vazhdueshëm për SHBA-së, sepse deri më sot ka qenë partneri kryesor tregtar, politik dhe strategjik. Prandaj, edhe Amerika është përfshirë në dy luftëra botërore, si dhe në një rivalitet të gjatë në kohën e Luftës së Ftohtë, për të penguar çdo shtet që ka pretenduar ta shtrijë ndikimin e tij hegjemonik në kontinent.

 

Mirëpo, frenimi i Kinës po behët dita ditës në një imperativ politik amerikan. Sepse është ky shtet me pretendimet e tij hegjemonike, ne Azi-Paqësor, duke filluar nga synimet për integrimin e ishullit të Taivanit “qoftë me forcë apo me paqe” dhe duke vazhduar, me synimet për ta shtrirë perimetrin e ndikimit në tërë atë rajon që janë bërë halë në sy për SHBA-të. Prandaj, edhe në të ardhmen shumë me shumë do të shohim marrëveshje të formatit sikur ajo AUKUS ndërmjet, SHBA-ve, Britanisë dhe Australisë me nëndetëse bërthamore si përgjigje ndaj Kinës se sa dedikim për çështjet evropiane.

 

Kosova ka përfituar tej mase nga Pax Americana dhe dominimi i saj unipolar, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Mirëpo, ky rend “post-historik” si duket po davaritet dita ditës nën peshën e antagonizmave të forcave historike që po rikthehen më ashpërsinë e tyre. Dhe për fatin e keq të vendit tonë, lehtësuese dhe garantuese e procesit të dialogut me Serbinë, mbetet një entitet si BE-ja, që ka dëshmuar që nuk ka kapacitete për të menaxhuar asnjë krizë serioze ndërkombëtare pa prezencën amerikane.

 

Në kontekst të këtyre dinamikave duhet kuptuar edhe mesazhet e frikshme të Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Ato janë kambanat e alarmit për atë që po na pret./TV.Arberia

Themes by WordPress