Përmes një deklarate publike drejtuar qytetarëve, është ngritur shqetësim për një rast të dyshuar që lidhet me një institucion të ndjeshëm në Lipjan.
Në reagimin e bërë publik nga Arsim Jashari, pretendohet se ekzistojnë informacione për një skandal të mundshëm, ndërsa shprehet shqetësim edhe për, siç thuhet, heshtjen e organeve kompetente që mund të kenë qenë të informuara për rastin.
Në deklaratë theksohet se, nëse këto informacione rezultojnë të vërteta, pasojat mund të jenë të rënda, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë me transparencë dhe përgjegjësi.
“Besoni se pasojat do të jenë të mëdha. Heshtja është pohim, e pohimi konfirmim”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Po ashtu, Jashari ka paralajmëruar se do të ketë informacione shtesë në ditët në vijim, ndërsa ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim.
Institucionet kompetente ende nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar lidhur me këto pretendime.
Sipas burimeve të TV Arbëria, thuhet se një pacient me aftësi të kufizuara mendore ka ikur nga shtëpia ku mbahej, pasi personeli dyshohet se ka qenë në gjumë.
Sipas të njëjtave informacione, personi në fjalë ka dalë dhe ka shkuar në disa lokale, ku dyshohet se ka shkaktuar disa dëme.
Më pas, në vendngjarje kanë ndërhyrë ambulanca dhe policia, të cilat e kanë ndaluar dhe e kanë rikthyer në institucionin përkatës.
Ndërkohë, raportohet se ende nuk është publikuar raporti zyrtar lidhur me ecurinë e rastit dhe mënyrën se si ka ndodhur ngjarja.