Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zyrtarit policor me inicialet S.N dhe dy qytetarëve me inicialet Q.TH dhe Rr.K, të cilët janë arrestuar dy ditë më parë nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Sipas njoftimit të gjykatës, S.N dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Ndërsa, Q.Th dyshohet për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” si dhe i pandehuri Rr.K për veprën penale në bashkëkryerje “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve S.N, Q.Th dhe Rr.K, andaj të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për secilin”, thuhet në komunikatën për media.
/TV Arbëria