Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Para takimit me Vuçiqin, Kurti pret diplomatët nga Franca, Italia dhe Gjermania

Para takimit me Vuçiqin, Kurti pret diplomatët nga Franca, Italia dhe Gjermania

Dy ditë pas votës së suksesshme për kalimin e fazës së parë për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Ai shfrytëzoi rastin nga takimi që të falënderoj përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë.

Në njoftimin e Qeverisë, thuhet se në takim u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.

“Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj.

/TV Arbëria

Powered by WordPress