Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Paqja përballë luftës

Paqja përballë luftës

Shkruan Arben Fetoshi:

Një urim për Ditën e Çlirimit

PAQJA PËRBALLË LUFTËS

Dita më e rëndësishme e një populli që ka sakrifikuar në zinxhir brezash, shënohet si ditë përkujtimi, jo çlirimi.Një shtet që ka dalë nga triumfi i gjakut dhe hirit kundër robërisë, nuk e ka një Ditë Çlirimi, dhe sot në çerek shekullin e LIRISË, e përkujton Ditën e Paqes.

PAQJA e definuar si “mungesë e luftës apo konfliktit” (sipas qasjes tradicionale) nuk është çlirim, ndërsa përfundimi i luftës si qëllim në vetvete nuk e garanton paqen. Sot një çerek shekull, Kosova i dha fund luftës me ndihmën e “forcës së bashkuar” (Allied Force) të botës, por ende s’po e fiton dot lirinë.

Veriu i Kosovës vazhdon ta simbolizojë përkufizimin negativ për paqen, me qëllimet e “botës serbe” si kërcënim i hapur. Prandaj, në të tri anët e tjera sot qytetarët i gëzohen “mungesës së luftës”, por nuk e festojnë dot çlirimin. Bota reagoi për t’i dhënë fund luftës, por jo edhe për ta diktuar paqen. Pikëpamjen e realizmit politik për “ekuilibrin e forcës” si parakusht të paqes (Morgenthau, Politics Among Nations), e sfidoi ndërhyrja e NATO-s në favor të Kosovës, por vetëm si masë e përkohshme kundër terrorit e brutalitetit të forcës serbe.

Martin Luther King e përkufizon paqen si “ekzistencë të drejtësisë për të gjithë njerëzit”, duke treguar atë që i mungon lirisë tonë ende, edhe në këtë përvjetor: detyrimin e Serbisë për ta pranuar ‘aktgjykimin’ ndërkombëtar që simbolizon 12 qershori. Në këtë pikë kanë dështuar, sepse “konsensusi” kundër luftës nuk e nënkuptonte edhe çlirimin.

Prandaj, edhe në këtë përvjetor jubilar, Kosova vazhdon ta përjetojë padrejtësinë me gjykimin absurd në Hagë të çlirimtarëve që i prinë luftës për liri.

Mirëpo, politika s’është thjesht DREJTËSI, ajo para së gjithash është kalkulim interesash dhe raport i forcave. Bota që dikur na ndihmoi, sot e ‘kalkulon’ Serbinë në kontekstin e luftës me Rusinë dhe ky është një interes strategjik i Perëndimit.

Ne, si një vend i vogël dhe si partner, duhet ta mirëkuptojmë, e për aq sa mundemi, edhe ta ndihmojmë në këtë drejtim. Jo me teka fëmijësh “jeni bërë me Serbinë kundër nesh” apo me deklarata për ‘Putinin e vogël’, por me përgjegjësi, seriozitet e bashkërendim.

“Paqja nuk është mungesë e konfliktit, por aftësi për ta përballuar atë” (Mahatma Gandhi), prandaj investimi në fuqizimin e FSK-së, i kombinuar me kujdesin për ruajtjen e aleancave, është rruga që e siguron paqen në Kosovë.

Themes by WordPress