Shkruan: Afrim Kasolli
Deri sa lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë po merr një kthesë dramatike, për shkak të suspendimit të kufizimit së Kievit për të përdoruar raketat me rreze të gjatë veprimi brenda territorit rus, po ashtu armëpushimi në mes shtetit të Izraelit dhe grupit palestinez të Hamasit në rripin e Gazës, nuk po duket në horizont. Odiseada e negociatave të vazhdueshme të drejtuara nga SHBA-të, Egjipti dhe Katari, nuk ka rezultuar deri më tani me asnjë sukses. Ndonëse, sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Hamasi ka deklaruar dje së është gatshëm të implementojë armëpushimin pa kushte të reja. Mbetet të shihet se sa serioze është kjo ofertë. Ndërkohë, kryeministri, Benjamin Netanyahu, është duke insistuar se trupat izraelite duhet të mbesin në korridorin e Filadelfias, i cili ndan rripin e Gazës me Egjiptit.
Sidoqoftë, pavarësisht këtyre detajeve, këtu duhet kujtuar se të dy palët gjenden në një luftë ekzistenciale ndaj njëra-tjetrës. Sepse si Hamsai ashtu edhe Izraeli e kanë proklamuar si qëllim të kësaj lufte zhdukjen e kundërshtarit. Që pas sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar mbi shtetin e Izraelit nga Hamasi, ku u vranë mbi 1200 civilë si dhe u kidnapuan mbi 250 persona, disa prej të cilëve ende po mbahen pengje, kryeministri Benjamin Netanyahu, ishte zotuar se qëllimi i inkursionit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në enklavë mbetet shkatërrimi i plotë i kësaj organizate. Mirëpo, deri më tani të dyja palët kanë dështuar ta jetësojnë qëllimin për fitore apo humbje përfundimtare.
Për synimet e Hamasit për ta zhdukur Izrelin as që ia vlen të flitet. Por edhe ky i fundit nuk është treguar plotësisht efektiv ndaj të parit. Është e vërtetë se që nga fillimi i fushatës e ka dëmtuar tej mase këtë organizatë. Vlerësohet se nga 30.000 anëtarë të saj, 17.000 janë vrarë, duke përfshirë edhe disa nga liderët kryesorë të saj, sikur se rasti i fundit i atentatit ndaj liderit politik i Hamasit Ismail Haniyeh, në Teheran. Kështu, Izraeli është larg fitores përfundimtare ndërkohë që në terren ekzistojnë shenja të rigrupimit, ripozicionimit dhe rekrutimit të anëtarëve të rinj. Ndërkohë, mediumi i njohur CNN, me anë të hulumtimi e demantonte retorikën e kryeministrit izraelit se fitorja mbi Hamasin është çështje e kryer. Këtë linjë madje e mbronte edhe Shefi i CIA-s William Berns, në një paraqitje të rrallë para pak dite në Londër së bashku me drejtorin e Shërbimit Sekret Britanik (M16),Richard Moore. I pari deklaroi se ndonëse për gjatë 11 muajve Izraeli i ka dëmtuar resurset e kësaj organizate, megjithatë nuk ia ka dalur ta eliminoje plotësisht atë. Dhe se në këtë ekspeditë ka shkaktuar një krize humanitare. E tera kjo, sipas William Berns, sepse Hamasi është një lëvizje dhe një ide. Dhe një “ide mund te vritet vetëm me një ide me te mire”(kill an idea with a better idea), që sipas shefit të CIA-s duket që Izrelit po i mungon.
Prandaj, në këto kushte duket se të dy palëve të përfshira në konflikt ju mungon vullneti politik për armëpushim. Drejtueseve të Hamasit sepse sa më shumë që Izraeli vihet në ndjekjeve militantëve të kësaj organizate, aq më shumë viktima po prodhon dhe kështu po dëmtohet reputacioni botëror i tij. Madje, që kur filloi të përkeqësohet kriza humanitare, presidenti Joe Biden, kishte paralajmëruar se në këtë mënyrë mund të zbehet solidariteti ndërkombëtar më ketë shtet. Kurse kryeministri izraelit, po ashtu e ka jetike vazhdimin e kësaj lufte sepse nga çdo lëshim pe i rrezikohet koalicioni qeveritar nga presioni i së djathtës ekstreme me të cilët ndodhet në bashkëqeverisje. Ndërkohë në pyetje është karriera e tij politike, duke marrw parasysh faktin se ai përballet me akuza për korrupsion nga gjykatat në Izrael.
Mirëpo, përtej këtyre rrethanave, sipas analistëve në mediat ndërkombëtare, Netanyahu, luftën kundër Hamasit e ka projektuar strategjikisht si pjesë e një lufte më të gjerë kundër Iranit dhe forcave proxy të tij në rajon, sikur se Hezbollahut në Liban , grupit rebel Huthi në Jemen si dhe milicive të armatosura në Irak. Mirëpo, realizmin e këtyre objektivave ai është i vetëdijshëm se nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e SHBA-ve, madje edhe me shpresën për ta përfshirë këtë të fundit në luftë kundër Iranit, si pjesë e një lufte më të gjerë regjionale. Prandaj, kryeministri izraelit është i interesuar që sa më shumë ta sabotojë çdo armëpushim të negociuar nga administrata aktuale amerikane në bashkëpunim me Egjiptin dhe Katari, n në pritje të rezultate zgjedhore presidenciale në Amerikë, duke kalkuluar se nga një fitore eventuale e kandidatit republikan Donald Trump, do ta ketë më të lehtë për ta realizuar këtë skenar.
/TV Arbëria