Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Papa në gjendje të rëndë, Politico: Po vuan nga dhimbje të forta

Papa në gjendje të rëndë, Politico: Po vuan nga dhimbje të forta

Lajmet që vijnë nga mediat ndërkombëtare për shëndetin e Papa Françeskut janë shqetësuese. Dy burime për Politico kanë thënë se Papa po vuan nga dhimbje të forta dhe privatisht është shprehur i sigurt se këtë herë nuk do t’ia dalë.

Papa 88-vjeçar po trajtohet në një repart të posaçëm të spitalit Gemelli në Romë, pasi u diagnostikua me infeksion respirator. Ai ka anuluar aktivitetet që kishte në agjendë duke ndjekur me përpikmëri udhëzimet e mjekëve.

Sipas Politico, kreu i Kishës Katolike refuzoi fillimisht të shkonte në spital, por u detyrua të pranonte pasi i vunë në dukje se rrezikonte të vdiste nëse qëndronte në dhomën e tij në Vatikan.

Duke kuptuar se shëndeti i tij po përkeqësohej, Papa përfundoi disa lëvizje të rëndësishme dhe vendosi peshkopë të aftë në disa pozicione kyçe.

Më 6 shkurt, Papa Françesku emëroi kardinalin italian Giovanni Battista Re si kreun e Kolegjit të Kardinalëve, personin që do të mbikëqyrë procesin për formimin e Konklavës – organi që zgjedh Papën. Sipas njerëzve në Vatikan të njohur me lëvizjet e Papës, vendimi kishte për qëllim që procesi të zhvillohet sipas dëshirave të Papa Françeskut.

Edhe pse kardinali në fjalë është mjaft i moshuar për të marrë pjesë në Konklavë, megjithatë ai do të jetë një figurë kyçe në proceset e prapaskenave përpara formimit të këtij organi dhe pritet të mbrojë trashëgiminë e Papës aktual.

Edhe nëse Françesku i mbijeton sëmundjes së tij të fundit, vëzhguesit e shohin këtë si një pikë kthese të mundshme pasi Papa e zhvendos fokusin nga përparimi në reformat e tij, në mbylljen e tyre./ abcnews.al