Papa Françesku bëri thirrje sërish për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi.
“Çdo ditë në zemrën time mbaj dhimbjen dhe vuajtjet e popullatës në Palestinë dhe Izrael për shkak të armiqësive të vazhdueshme”, tha Papa gjatë fjalimit të tij të dielën.
Ai shprehu pikëllimin për mijëra të vdekur, të plagosur, të zhvendosur, shkatërrimin e pamasë që shkakton dhimbje dhe vuajtje për të vegjlit dhe të pambrojturit që shohin të ardhmen e tyre të komprometuar.
“A mendojmë vërtet se po ndërtojmë një botë më të mirë në këtë mënyrë? Mjaft, ju lutem. Le të themi të gjithë: Mjaft, ju lutem! Ndaloni luftën”, tha ai.
Papa bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe në të gjithë rajonin, “në mënyrë që pengjet të mund të lirohen dhe të kthehen te të dashurit e tyre që presin me ankth, dhe në mënyrë që popullata civile të ketë qasje të sigurt në ndihmën e nevojshme dhe urgjente humanitare”. /ANSA