Shkruan: Agron Hoti
Në vend që cilësia politike të shkonte duke u ngritur që nga çlirimi i Kosovës e deri me sot, ajo fatkeqësisht ka shkuar duke rënë. “Sa më shumë injorancë e tallava, aq më lartë në parti e mjerisht edhe në shoqëri” – është motoja e përhapur sot në përditshmëri tonë.
Është sekret publik fakti se nga viti 2001 deri në vitin 2025, cilësia e përfaqësimit parlamentar ka pësuar një rënie të vazhdueshme. Kështu, legjislatura e fundit (2021-2025) ishte më e dobëta në këto 26 vite pas çlirimit. Ishte aq e dobët, saqë më shumë i ngjante një cirku sesa një institucioni.
Në vend të reformave dhe hapjes, partitë politike kanë zgjedhur mbylljen dhe tallavanë politike. Së brendshmi luftojnë vlera, së jashtmi eksportojnë antivlera. Vetëm kështu ruhet standardi i injorancës. Çfarëdo përpjekje për ta thyer këtë standard, nënkupton armiqësim dhe margjinalizim politik. Prandaj, qytetarët s’kanë asnjë shpresë, sepse injoranca dhe tallavaja politike nuk kanë më asnjë alternativë.
Jo rastësisht, përzgjedhja e kandidatëve/eve për deputetë/e nga partitë është e lidhur ngushtë me interesat financiare të klaneve partiake. Çdo ngritje, abstenim apo mosngritje dore brenda Kuvendit përkthehet në përfitime të majme materiale jashtë tij. Ndryshe nuk mund të shpjegohet mbyllja e partive përballë meritokracisë dhe hapja e tyre ndaj tallavamanisë.
Nëpër parti ka vend vetëm për ata/ato që nuk mendojnë me kokë të veten, por vetëm zbatojnë urdhëra. Sepse mendimi i lirë dhe profesional është armiku më i madh i injorancës dhe tallavasë sonë politike. Përzgjidhen ata/ato që lehtë pranojnë të shkelin edhe mbi dinjitetin e tyre personal se lëre më të popullit.
Kur dikush pranon të kandidohet mbi 55 herë për kryetar Kuvendi, tregon më së miri se sa pak vlerë ka dinjiteti njerëzor për vetë kandidatin se lëre më për partinë e mos të flasim më për shoqërinë.
E nëse partitë dhe politika janë bërë tallava, paramendoni sa shumë tallava është mbjellë në shtet e shoqëri. Pyetja që duhet shtruar është kjo: a mos rastësisht kanë organizuar partitë tona ndonjë panair për t’u ranguar sa më lartë në injorancë e tallava? Me gjasë po, sepse pas pak më shumë se dy dekadash çlirim, Kosova qëndron e lodhur, e plagosur, në vendin më të dobët, duke u rrëzuar ngadalë, brenda vetes dhe në botën që e rrethon.
Prandaj, kjo paralizë shtetërore e shoqërore që po nxit shpopullim të frikshëm vetëm rastësi nuk mund të jetë. E antivlera dhe tallavaja politike janë shtytësit kryesorë të kësaj gjendjeje.