Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > (Pa)mundësia e dërgimit me forcë të Kryeministrit Kurti në prokurori si dëshmitar

(Pa)mundësia e dërgimit me forcë të Kryeministrit Kurti në prokurori si dëshmitar

Përgatiti: Afrim Kasolli

Paralajmërimi i kryeministrit Kurti gjatë fushatës elektorale, se pas datës 9 shkurt prokurorët dhe gjykatësit do të mbesin pa punë, duket të mos jetë i saktë. Madje, ata sipas të gjitha gjasave do të kenë punë më shumë se asnjëherë tjetër.

Media të ndryshme kanë raportuar se tashmë Prokuroria Speciale është aktivizuar për ta detyruar kryeministrin Kurti që të dëshmojë lidhur me aferën e rezervave shtetërore. Sipas, mediumit Kallxo “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën që kryeministri i vendit, Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore”. Kurse sipas, portalit Periskopi, “është çështje ditësh që Gjykata Themelore në Prishtinë do të lëshoj urdhër për Policinë e Kosovës që ta sjellë me detyrim në Prokurorinë Speciale Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti”.

Siç dihet deri më tani kryeministri Kurti ka pasur dy thirrje nga Prokuroria Speciale. Por i njëjti, vazhdon të këmbëngul që të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Kryeministri. Kohë më parë ai ka deklaruar, se “Ekziston komunikimi përmes Prokurorisë dhe Kryeministrisë. Nuk mund të merrem paradite e pasdite me këtë çështje. Do të merrem me këtë kur të vijnë në Kryeministri të më intervistojnë si dëshmitar”. Për më shumë, ai ka pohuar se këto veprime të organit të aktakuzës, janë të motivuara politikisht me qëllim që të denigrohet në media ndërkombëtare drejtuesi i Qeverisë, se si detyrohet të intervistohet nga Prokuroria.

Ndërkaq, njohësi i Sigurisë, Bedri Elezi ka deklaruar se kryeministri i vendit, Albin Kurti me detyrim do të paraqitet në Prokurori ose sipas tij, do të arrestohet me procedurat e parapara me ligj.

Sidoqoftë, duke marrë parasysh sjelljet e Kryeministrit edhe në të kaluarën, vështirë se ai do t’i përgjigjet edhe kësaj thirrje të tretë. Përkundrazi, ai e ka jetike ta thellojë dramën antagoniste me sistemin juridik. Sepse po të vepronte ndryshe lideri i Vetëvendosjes do ta pranonte se Prokuroria është në të drejtën e saj me këto veprime. Mirëpo, siç e ka potencuar disa herë ai këtë organ e konsideron si mbetje të regjimit të vjetër, dhe se për të arbitër i vërtetë juridik është drejtësia popullore. Madje ai e ka jetike që edhe njëherë t’i shoh masat popullore në mbrojtje të tij, për shkak të persekutimit që po i bëjnë strukturat e kapura të sistemit.

Megjithatë, sipas avokatit Ardian Bjarktari, në këtë fazë, Prokuroria nuk mund ta dërgojë me forcë kryeministrin Kurti për të dëshmuar. Sipas tij, një skenar i tillë është mundur vetëm nëse i njëjti organ e ka ndërruar statusin e Kurtit nga dëshmitar në të dyshuar. Por deri më tani nuk e kemi parë se ka ndodhur një ndryshim i tillë. Kurse në bazë të kushteve aktuale, pohon avokati Bajraktari, Kodi i Procedurës Penale në nenin 132 i ka definuar qartë proceduarat që i zbatojnë organet juridike në mosparaqitjen e dëshmitarit.

Në këtë nen thuhet se, “kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, ose pa leje dhe shkak të arsyeshëm largohet nga vendi ku duhet të pyetet, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet. Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset siç parashihet në paragrafin 2 të këtij neni. Nëse dëshmitari paraqitet kur është thirrur, por pasi të jetë bërë me dije për pasojat refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet me gjobë deri në dyqindepesëdhjetë (250) Euro. Kur dëshmitari refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një (1) muaj”

Pra aktualisht ajo që me të cilën do të përballet Kurti do të jenë gjobat e tij nëse ai refuzon të jetë dëshmitar. E nëse nuk e përfill edhe këtë masë sanksionuese atëherë gjithçka është e mundur.

Megjithatë, vlen të ceket se në një kohë kur bota po ndryshon me një shpejtësi marramendëse, kur aleancat dhe lidhjet, që ishin marrë si të mirëqena po lëkundën dita ditës, Kosova e ka luksin ta shpenzojë kohën se a do të paraqitet apo jo kryeministri në prokurori, apo kur do të përfundoje apo jo numërimi i votave. /TV Arbëria