Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në tryezën kushtuar 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, me temën “Pakicat në Kosovën e pavarur”, u shpreh se Kosova është shteti ynë i përbashkët, në të cilin “duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri”.
Ai deklaroi se kanë mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.
Kurti: Në dy vitet e fundit, qeveria ka mbështetur të gjitha komunitetet
“Takimi i sotëm përfaqëson simbolikisht atë që Republika e Kosovës në të vërtet po e jetëson ndjenjën e përbashkësisë dhe pjesëmarrjes për të gjithë. Kosova është shteti ynë i përbashkët, ku të gjithë duhet të ndjehemi plotësisht të barabartë dhe të padiskriminuar mbi asnjë bazë. Kosova është shteti ynë i përbashkët pra, në të cilën duhet të kemi edhe mirëqenie edhe siguri dhe ky është prioritet i qeverisjes sonë si garant i mbështetjes për të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e vendit me fokus në sundimin e ligjit dhe drejtësi, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e gjendjes së arsimit dhe ngritjen e tij në një nivel më të lartë. Në dy vitet e fundit, qeveria jonë ka mbështetur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.”, tha ai.
Kurti u shpreh kanë mbështetur 800 mijë qytetarë të Kosovës apo siç tha, secilën familje në vendin tonë.
Ai potencoi se kanë lansuar platformën kombëtare për raportimin e rasteve të diskriminimit ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.
Kurti: I kemi përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe Start Up-e për komunitetet joshumicë
“Kemi miratuar edhe Strategjinë, pra plotësimin e të drejtave të komunitetit romë dhe ashkali 2022-2026. Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit, përmes Zyrës për Çështje të Komuniteteve i ka mbështetur organizatat dhe mediat për aktivitetet e ndryshme kulturore. I kemi përkrahur 123 projekte për biznese të vogla dhe Start-Up-e për komunitetet joshumicë, mes tyre 48 për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom.”, tha ndër të tjera kryeministri.
Kurti nënvizoi se për ta mbështetur edukimin i kanë ndarë 300 mijë euro për bursa për nxënësit e komunitetev romë, ashkali dhe egjiptian, si dhe 300 mijë euro të tjera për qendrat mësimore të fëmijëve këtyre komuniteteve.
Ai shtoi se që nga fillimi e kanë dëshmiuar përkushtimin ndaj komuniteteve joshumicë më shumë se çdo qeveri tjetër.
Ndërsa, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi u shpreh se me vetë aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuvendi vendosi t’u garantojë të gjitha të drejtat dhe mbrojtjen të gjitha bashkësive kombëtare që jetojnë në Kosovë.
Ajo tha se sot Kosova është një shtet demokratik, në të cilin çdo komunitet mund të afirmojë nevojat e veta dhe të realizojë të drejtat e veta.
Rexhepi: Në Kosovë çdo komunitet mund të afirmojë nevojat e veta
“Sot, Kosova është një shtet demokratik, në të cilin çdo komunitet mund të afirmoj nevojat e veta dhe të realizojë të drejtat e veta kombëtare kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare. Sot, kur festojmë 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, lirisht mund të themi se vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur të zhvillimit të tij. Ne kemi institucione shtetërore, në të cilat pjesëtarët e të gjitha kombeve marrin pjesë në punët e përcaktuar me ligj, a jemi të kënaqur, sigurisht që nuk jemi dhe ky numër është ende shumë i vogël, por shpresojmë shumë te kryeministri ynë, i cili merret më intensivisht me çështjet e jetës së të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, duke krijuar një përfshirje të shoqërisë nga të gjithë qytetarët e saj, duke mos e ndarë askënd në asnjë lloj baze dhe në atë luftë do t’i japim mbështetjen tonë maksimale.”, tha ajo.
Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, deklaroi se ka pasur nderin që javën e kaluar, ministria që ai drejton për herë të parë ka shpallur një ftesë publike për të aplikuar të gjitha komunitetet.
Ai tha se nga data 6 shkurt, për 10 ditë nënstop ka shumë njerëz, që aplikojnë për ftesat e shpallura.
Rashiq: Ftesa publike për komunitetet, është sfidë shtesë
“Në të vërtetë, ky ka qenë edhe qëllimi im, që t’i kenë njerëzit një ftesë të hapur, ku mund të aplikojnë të gjithë, por kjo gjithashtu kjo është një sfidë shtesë për të gjithë ne, para së gjithash për mua, por jom i sigurt edhe për znj. Rexhepi, po gjithashtu edhe për kryeministrin, sepse pritjet që këto procese janë normale dhe se duhet të vazhdojnë në mënyrë normale, rregullisht është dëshmi që këta njerëz besojnë që do t’i realizojnë të drejtat e veta dhe të vijnë te na për të aplikuar. Dhe këto pritje, Qeveria duhet që të plotësojë, duhet të realizon atë çfarë është në pjesën e saj të autorizimeve.”, tha ai, duke shtuar se do të jetë një listë e qytetarëve kanë nevojë për kushtet themelore për jetë.
Ai deklaroi se e ka hapur ftesën në kuptimin që qytetarët të furnizohen me material ndërtimor, rinovim, gjëra ushqimore, nevoja higjienike, etj.
Ndër të tjera, Rashiq e falënderoi kryeministrin Kurti për përkrahjen e dhënë atij dhe popullit të tij, por kërkoi ndihmë shtesë, sepse tha se sapo e kanë filluar procesin e vërtetë të integrimit.
/TV Arbëria