Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Pajaziti: Zgjedhjet e ardhshme do ta nxjerrin Kurtin përfundimisht nga politika

Pajaziti: Zgjedhjet e ardhshme do ta nxjerrin Kurtin përfundimisht nga politika

Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës ka qenë i ftuar në emisionin Arb Debat me Rid Berishën në TV Arbëria, ku ka folur për rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe për aktualitetin politik në vend.

Ai ka thënë se në PDK presin fitore pas balotazhit në Prizren.

“Presim që Prizreni të jetë i PDK-së,” ka deklaruar Pajaziti.

Edhe për Mitrovicën, Pajaziti është shprehur optimist, duke thënë se gjasat janë që të fitojë kandidati i PDK-së, Arian Tahiri.

“Edhe pse gara është e ngushtë në Mitrovicë, Arian Tahiri është kandidati më i favorizuar. Presim fitoren e Arianit,” ka shtuar ai.

Sa i përket formimit të koalicioneve në komuna, Pajaziti tha se aktualisht PDK-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë në këtë drejtim.

“Fillimisht dua të theksoj se nuk ka ndonjë disponim në ndonjë komunë që dikush të hyjë në koalicion,” ka thënë ai.

Ndër të tjera, Pajaziti ka folur edhe për bllokadën politike që, sipas tij, zgjat prej shkurtit të këtij viti në Kosovë. Ai ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e çon vendin “askund”.

“Rruga politike e VV-së Kosovën po e çon në askund,” është shprehur ai.

Pajaziti ka theksuar se zgjidhja më e mirë për të dalë nga bllokada politike janë zgjedhjet nacionale, të cilat, sipas tij, janë të pashmangshme. Ai ka shtuar se do të formohet një koalicion që do ta “pensionojë” Albin Kurtin.

“Do të vijë një koalicion i cili do ta pensionojë Albin Kurtin, dhe ky do të jetë rasti kur nuk do të ketë më mendësi të Kurtit,” ka deklaruar ai.

Pajaziti i PDK-së është shprehur i bindur se Kurti nuk e ka më besimin e qytetarëve për të qeverisur.

“Unë nuk mendoj që qytetarët e Kosovës do ta votojnë më ndonjëherë Albin Kurtin. Zgjedhjet e ardhshme politike do ta nxjerrin përfundimisht nga loja,” ka përfunduar Pajaziti. /TV Arbëria