Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pajaziti për ditën e shpalljes së pavarësisë: Dita më e madhe e jetës sime

Pajaziti për ditën e shpalljes së pavarësisë: Dita më e madhe e jetës sime

Zenun Pajaziti, ish-ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka kujtuar ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ai, i ftuar në emisionin “N’PULT” me Resim Morinën, në TV Arbëria, ka thënë se shpallja e pavarësisë ka qenë ditë e madhe për të.

Ai gjatë intervistës e ka kujtuar ditën e 17 shkurtit 2008, duke thënë se frika e vetme ishte që të mos ndodhte ndonjë incident.

“Është dita më e madhe e jetës sime, më kujtohet edhe presioni që unë kam pasur për informacionet që merrnim me shumicë, për gjithçka, dhe shqetësimi ishte të mos prishej kjo ditë me asnjë incident. Por nuk kishim, mos të harrojmë që ne ishim ende, policia jonë ishte në një gjysmë administrim, por pastaj kishim forcat e sigurisë së KFOR-it, dhe misioni ndërkombëtar ishte me ne, por ishte përgjegjësia jonë, ne duhej të tregonim se po shpallim shtetin dhe jemi të aftë ta bëjmë këtë në të gjitha segmentet. Një ditë para, thanë që do të ketë festë në gjithë Prishtinën, por kishim frikë, sepse u përhap një prej dezinformatave se do të ketë ndonjë incident në shesh. Dhe më kujtohet, unë mora disa miq të policisë, një ditë para në shesh, po i takojmë njerëzit, po i tregojmë që gjithçka është e sigurt. E para, të sigurohemi që të mos ndodhë asgjë dhe e dyta, të mos i mbajmë njerëzit në shqetësim, t’ju tregojmë se gjithçka është e sigurt, do të festojmë të nesërmen të gjithë bashkë, dhe ashtu ndodhi. Unë atë ditë nuk kisha kohë në shesh, por puna ime atë ditë nuk ishte në shesh, ishte në çdo sekondë në komunikim me njerëzit, me institucionet që unë drejtoja, dhe me agjendën shtetërore që ishte atë ditë, nuk kishte diçka më mirë sesa atë ditë,” ka thënë ai në emisionin “N’PULT” me Resim Morinën.