Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pagat e anëtarëve joprokurorë nxisin mospajtime mes u.d. Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesuesit të KPK-së

Pagat e anëtarëve joprokurorë nxisin mospajtime mes u.d. Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesuesit të KPK-së

Ardian Hajdaraj, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në mbledhjen e 253-të këtij Këshilli të mbajtur të martën, tha se pika e rëndit të ditës që ka të bëjë me pagat e anëtarëve joprokuror është vënë me propozim të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurori, Besim Kelmendi. Por, ky i fundit e ka mohuar një gjë të tillë.

Kryesuesi Hajdaraj fillimisht tha se pika e rendit të ditës për takimin 253 që flet për shqyrtimin e vendimit për pagat e anëtarëve joprokuror është futur me kërkesë nga takimi i kaluar prej ushtruesit të detyrës, Besim Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka hy me kërkesë te ushtruesi të detyrës se Kryeprokurorit dhe pa asnjë tendencë”, tha Hajdaraj.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kelmendit, duke thënë se për këtë janë incizimet dhe procesverbalet e takimit të kaluar dhe se çështja në fjalë është diskutuar nga anëtari tjetër i KPK-së, Milot Krasniqi.

“Për informimin, të jemi korrekt kemi një procesverbal, një incizim të takimit dhe lidhur me këtë çështje është diskutu por s’u marr asnjë iniciative për ta shqyrtu këtë vendim në këtë takim”, tha Kelmendi.

Kelmendi gjithashtu tha se është për të diskutuar kjo çështje sa herë qe dëshirohet, por gjithnjë në harmoni me ligjin për pagat, duke shtuar se paga është e drejtë kushtetuese.