Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Padia që nga viti 2001, prona ende në kontest – Kushtetuesja kërkon që Themelorja në Gjakovë ta përmbyllë lëndën me prioritet

Padia që nga viti 2001, prona ende në kontest – Kushtetuesja kërkon që Themelorja në Gjakovë ta përmbyllë lëndën me prioritet

Ajet Ukshini e ngriti padinë në vitin 2001 për të vërtetuar pronësinë mbi afro shtatë hektarë në Brovinë të Gjakovës. Çështja ende pret zgjidhje në shkallën e parë, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka konstatuar njëzëri se tejzgjatja e procedurës ia ka shkelur Ukshinit të drejtën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, raporton Gazeta Sinjali.

Me aktgjykimin KI190/25, të marrë më 4 nëntor dhe të publikuar më 23 nëntor 2026, Kushtetuesja kërkoi që Gjykata Themelore në Gjakovë ta trajtojë lëndën me prioritet dhe ta përmbyllë sa më shpejt.

Ukshini e kishte paditur më 17 korrik 2001 Ekonominë e Pyjeve në Gjakovë, tash Agjencia Pyjore e Kosovës. Ai pretendonte se prona ishte trashëguar brez pas brezi nga paraardhësit e tij dhe se ishte regjistruar gabimisht në emër të palës së paditur.

Procedura ishte ndërprerë në vitin 2012 pas vdekjes së disa prej palëve. Në prill 2019, Ukshini kërkoi vazhdimin e saj në cilësinë e trashëgimtarit. Nga janari 2020 deri në dhjetor 2025, ai kërkoi pesë herë caktimin urgjent të seancës.

Themelorja mbajti dy seanca përgatitore në korrik 2024 dhe urdhëroi kryerjen e një ekspertize gjeodezike. Në dhjetor 2025, lënda i kaloi një gjyqtari tjetër. Për shkak të këtij ndryshimi, seanca përgatitore u ricaktua në qershor 2026.

Kushtetuesja konstatoi se lënda kishte mbetur pa zgjidhje në shkallën e parë pas më shumë se 18 vjetësh procedurë. Sipas saj, kontesti nuk ishte posaçërisht i ndërlikuar, Ukshini nuk kishte kontribuar në vonesa dhe Themelorja kishte kontribuar në zvarritjen e paarsyeshme të çështjes.

Gjykata konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për kërkesën e Ukshinit për vërtetimin e pronësisë mbetet të vendosë Gjykata Themelore në Gjakovë.