Ai ka bërë me dije se pas mbarimit të shkollës se mesme babai i kishte kërkuar të kthehet në fshatin e lindjes dhe të bëhet mësues.
Në profilin e tij në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se prindi i tij vazhdimisht i kishte kërkuar që të kthehet në vendin e tij të lindjes.
“Amanetet e babait tim të ndjerë kanë qenë gjithmonë të qarta për mua. Kur përfundova shkollën e mesme, më tha: “Eja në Marec, se atje mungojnë mësuesit”. Edhe kur isha jashtë Kosovës, ai gjithmonë më porosiste: ‘Kthehu, bir, në vendin tënd dhe ndihmoje popullin’”, ka shkruar Pacolli.
Më tej, ai ka treguar se ndonëse mësues nuk u bë, ai e përmbushi amanetin e prindit për t`u kthyer në Kosovë.
“Amanetin e babait për t’u bërë mësues nuk munda ta plotësoj, por në Marec u ktheva dhe ringrita nga themelet edhe njëher shkollën fillore “ILIRIA”. Sot, për shkak të mungesës së nxënësve, kjo shkollë është “Shkollë Muze”. Besoj fort se analfabetizimi dhe injoranca nuk do të kenë më vend në Kosovë. Unë nuk do të ndalem kurrë duke punuar në këtë drejtim”, ka shkruar Pacolli.