Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Pacolli: Porosi ShBA-ve dhe BE-së, çështja e dinarit do të kalojë pa probleme

Pacolli: Porosi ShBA-ve dhe BE-së, çështja e dinarit do të kalojë pa probleme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar rreth diskutimeve të ashpra të ShBA-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.

Pacolli e ftuar në Tëvë1, ka thënë se partia e saj siguron Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, se ky vendim po shkon sipas hapave të paraparë.

“Ata mund të shprehin reagimet e tyre, mund t’i shprehin shqetësimet, mirëpo ne i sigurojmë ata që s’ka nevojë të ketë shqetësim sa i përket tranzicionit të cilin po e bëjmë, sepse çdo gjë është në rregull, deklaroi ajo në emisionin “Infonata”.

E pyetur se a janë të shqetësuar ndaj këtyre reagimeve të shumta, Pacolli tha se një vendim i tillë është pozitiv për Kosovën, teksa i cilësoi si normale mospajtimet me partnerët ndërkombëtar.

“Ne sa herë flasim me partnerët e miqtë tanë, s’do të thotë që gjithmonë do të kemi 100 përqind pajtime në deklarime apo në veprime. Ne mundohemi t’ua sqarojmë se cila është rrugë më e drejtë e më e mirë për Kosovën, ne i kemi informuar që BQK-ja është institucion i pavarur. Ne i sigurojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, që çdo gjë do të kalojë pa probleme, s’do të ketë ndonjë gjë që mund të shfaqet papritur”, potencoi Pacolli tutje.

Kujtojmë se më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme.

Edhe pse ambasadori britanik, Nicholas Abbot, ka përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e dinarit serb, njëjtë nuk u mirëprit nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, i cili ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me këtë vendim./Indeksonline/

Themes by WordPress