Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Pa SHBA-në, Evropa është iluzion: Grenlanda është vetëm fillimi

Pa SHBA-në, Evropa është iluzion: Grenlanda është vetëm fillimi

Shkruan: Agron Hoti

Për superfuqitë nuk ekziston koncepti i paqes. Ekziston vetëm parandalimi dhe gara se kush i zë caqet strategjike i pari.
Çdo rrëfim tjetër që mundohet ta paraqesë periudhën 1945–2025 si “epokë paqësore” është një mashtrim intelektual. Gjatë kësaj kohe, bota nuk ka qenë në paqe, por në luftë të vazhdueshme të ftohtë, të ngrohtë dhe hibride mes SHBA-së dhe BRSS-së/Rusisë – një luftë globale për dominim, ndikim dhe mbijetesë gjeopolitike. Një gjendje e tillë vazhdon edhe sot e me gjasë do të vazhdojë edhe nesër.

Edhe luftërat që disa i quajnë “lokale” kanë qenë, në thelb, beteja të Superfuqive. Lufta çlirimtare e UÇK-së në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni të Veriut nuk ishte thjesht konflikt ballkanik, por përplasje e drejtpërdrejtë interesash mes SHBA-së dhe BRSS-së/Rusisë. Edhe sot, beteja për sovranitetin në veri të Kosovës është, para së gjithash, betejë SHBA–Rusi. Rikthimi i plotë i sovranitetit të Kosovës të humbur në veri varet tërësisht nga vullneti dhe fuqia amerikane.
Prandaj, evropianët dhe të gjithë ata shqiptarë të rreshtuar mbrapshtë që sot derdhin “lotë krokodili” për Grenlandën, do të bënin mirë të përballen me realitetin brutal.

Le ta paramendojnë këtë skenar në katër pika:
1) Sikur SHBA të mos ishte tërhequr me shpejtësi nga Afganistani në fund të vitit 2021 për t’u ripozicionuar strategjikisht në Evropën Lindore dhe për të frenuar qysh në start Rusinë në Ukrainë, a do të kishin evropianët kapacitete ta ndalonin Moskën? Absolutisht jo. Pa SHBA-në, pjesa evropiane e Polit të Veriut do të ishte sot nën ndikim rus, ndërsa Grenlanda e ekspozuar drejtpërdrejt ndaj Rusisë dhe Kinës do të ishte seriozisht e rrezikuar;
2) Pa SHBA-në, pushtimi i Ukrainës do të ishte normalizuar dhe harruar. Pas saj do të kishin rënë Vendet Baltike, Moldavia dhe Kaukazi Jugor (Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Armenia) dhe krahas tyre vendet e Azisë Qendrore një nga një. Sa i përket Evropës, lufta do të ishte zhvendosur tashmë në Poloni, Gjermani, Rumani dhe Hungari. Serbia do të ishte tashmë në luftë me Kosovën, Kroacinë në Bosnje e Hercegovinë dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Mali i Zi do të ishte gllabëruar, ndërsa i gjithë Ballkani – përfshirë Turqinë dhe Greqinë – do të ishte futur në një luftë të pashpresë. Pa SHBA-në, Evropa do të ishte front lufte, jo projekt paqeje;
3) Pa SHBA-në dhe Izraelin, Irani do të kishte pushtuar tashmë vendet arabe dhe Izraelin, duke i hapur vetes dhe Rusisë qasje të lirë në Oqeanin Indian dhe Mesdhe. Turqia do të neutralizohej, resurset e Lindjes së Mesme do të binin në duart e boshtit Iran–Rusi–Kinë dhe kjo do të nënkuptonte vdekje strategjike për Evropën;
4) Pa SHBA-në, Kina do ta kishte pushtuar tashmë Tajvanin, Korenë e Jugut, do ta kishte nënshtruar Azinë Juglindore dhe do të ishte në luftë të drejtpërdrejtë me Japoninë dhe Australinë. Indo-Paqësori do të ndahej mes Kinës dhe Rusisë, ndërsa Evropa do të mbetej pa qasje në arteriet kryesore të ekonomisë globale.

Ky skenar me katër pika do të nënkuptonte fundin e Perëndimit, fundin e Grenlandës dhe, po ashtu, fundin e shqiptarëve si faktor politik dhe kombëtar.

Arsyeja pse ky skenar nuk po ndodh është një dhe e vetme: SHBA-të janë ende Superfuqia më e madhe që ka njohur njerëzimi.
Ka një thënie që gjithmonë mbetet e vërtetë: Parandalimi kushton shumë më pak se luftimi.
Nëse Rusia ose Kina do ta pushtonin Grenlandën, sërish do të ishte SHBA ajo që do të thirrej ta çlironte. Evropa, e vetme, nuk do ta çlironte kurrë. Realiteti është i thjeshtë: çelësi i sigurisë së Grenlandës është në Uashington, jo në Kopenhagë.
Prandaj, më mirë një Grenlandë nën administrim amerikan me kosto minimale dhe stabilitet afatgjatë, sesa një Grenlandë nën flamurin rus apo kinez që do ta çonte botën drejt një lufte botërore.

Nëse Kina dhe Rusia po e sfidojnë Perëndimin në Polin e Veriut, atëherë përgjigjja racionale për Danimarkën dhe Evropën nuk është sentimentalizmi, por realpolitika: administrimi amerikan i Grenlandës. Evropa thjesht nuk i ka kapacitetet ushtarake për ta mbrojtur atë territor strategjik, ndërkohë që rivaliteti sino-amerikan vetëm sa po rritet.
Në fund të fundit, historia më e re ka treguar një gjë të vetme: Pa SHBA-në, Perëndimi nuk mbrohet. Pa SHBA-në, Evropa nuk ekziston. E Grenlanda është vetëm fillimi.