Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > OVL e UÇK-së kërkon ndalimin e rihapjes së rasteve të gjykuara nga ICTY, UNMIK, EULEX

OVL e UÇK-së kërkon ndalimin e rihapjes së rasteve të gjykuara nga ICTY, UNMIK, EULEX

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që në Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të përfshihet një amendament që ndalon rihapjen e çështjeve për të njëjtat fakte dhe rrethana thelbësore të gjykuara më herët.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare dhe deputetëve, OVL-UÇK thotë se një dispozitë e tillë do të garantonte sigurinë juridike dhe respektimin e parimit ne bis in idem, sipas të cilit një person nuk duhet të përballet përsëri me procedura penale për të njëjtat fakte për të cilat ekziston një vendim përfundimtar.

OVL-UÇK thekson se kjo çështje është veçanërisht e rëndësishme në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe kërkon që ndryshimi i cilësimit juridik apo formulimit të akuzave të mos mundësojë, sipas saj, “riciklimin” e fakteve dhe rrethanave që janë shqyrtuar më parë nga TPNJ-ja, UNMIK-u, EULEX-i apo gjykata të tjera kompetente. Organizata i ka bërë thirrje Kuvendit që këtë amendament ta trajtojë me urgjencë.