Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është nderuar me Çelësin e Qytetit nga Komuna e Tetovës.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ajo është pritur në takim edhe nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ku është diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit me komunat e Kosovës.
Lidhur me këtë vizitë ka njoftuar Zyra e Presidencës, duke theksuar se Osmani e ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët.
“E nderuar që vizitën në Tetovë ta filloj me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, një simbol i përkushtimit tonë të çdoditshëm për të qëndruar pranë bashkëkombasve tanë. Tetova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë në zemrat e qytetarëve të Kosovës, prandaj sot, së bashku me kryetarin Kasami, rikonfirmuam angazhimin tonë për kultivimin e mëtejshëm të raporteve tona të veçanta”, ka thënë Osmani.
Kjo është dita e dytë e vizitës së Osmanit në Maqedoninë e Veriut.
Të mërkurën ajo është pritur me nderime shtetërore nga homologu i saj, Steve Pendarovski, dhe i është drejtuar me një fjalim deputetëve të Kuvendit.
/TV Arbëria