Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe shumicës së nënkryetarëve, si dhe hapat e ardhshëm drejt konstituimit të plotë të legjislaturës së re.
Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke u rikonfirmuar angazhimi i ndërsjellë për thellimin e marrëdhënieve në fusha me interes të përbashkët dhe strategjik.
Në prag të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku Presidentja Osmani do të marrë pjesë si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës, u diskutua gjithashtu për agjendën e takimeve dhe pritshmëritë nga ky angazhim ndërkombëtar.