Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditën e mërkurë do të presë në takim përfaqësuesit e subjekteve politike, në takimin që pritet të diskutohet për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.
Në letrën që Osmani i ka shkruar kryeministrit Kurti, thuhet se zgjedhjet e rregullta duhet të mbahen në periudhën 26 janar – 16 shkurt të vitit 2025.
Pjesëmarrja në takimin konsultativ tashmë është konfirmuar nga të gjitha subjektet politike, por jo në nivel kryetarësh nga të gjithë.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë për Telegrafin se do të marrin pjesë në takim.
“Po mund të ju konfirmoj se do të marrim pjesë në takim”, tha ai.
Por, Telegrafi nga burimet e veta mëson se në takim nuk do të jetë kryeministri Kurti dhe se LVV do të përfaqësohet nga nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, i cili është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.