Presidentja Vjosa Osmani do të udhëtojë drejt Brukselit javën e ardhshme, ku do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe institucionet e tjera të BE’së. Vizita e saj lidhet me përgatitjet për Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet më 18 dhjetor, në të cilin Samit do ta përfaqësojë vendin.
Osmani ka pranuar në fillim të këtij muaji ftesë nga Costa për të marrë pjesë në pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor më 3 dhjetor në Bruksel, por këtë ftesë ajo e ka deleguar tek institucionet e tjera në Kosovë, shkaku i agjendës.
“Më datë 5 nëntor 2024, Presidentja Osmani ka pranuar ftesë nga Presidenti i Këshillit të BE-së, z. Antonio Costa, për të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor më 3 dhjetor në Bruksel. Për shkak të agjendës ndërkombëtare të paracaktuar dhe vizitës shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, ku Presidentja Osmani do të udhëtojë me ftesë të Sulltanit të Bruneit më datë 2-3 dhjetor 2024, kabineti i Presidentes e ka informuar kabinetin e Presidentit Costa për pamundësinë e pjesëmarrjes kësaj radhe. Rrjedhimisht, si rezultat i kësaj, është rënë dakord që ftesa të delegohet tek institucionet e tjera në Kosovë”, ka deklaruar Kupina.
Ajo do ta vizitojë Brukelin një itë më pas, më 4 dhjetor.
“Megjithatë, meqë Presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 18 dhjetor (ftesë tashmë e dërguar dhe konfirmuar), me qëllim të përgatitjeve dhe koordinimit sa më të mirë, Presidentja është dakorduar me institucionet e BE-së që të vizitojë Brukselin më datë 4 dhjetor (pra do të udhëtojë direkt nga Brunei) ku me Presidentin Costa dhe institucione të tjera të BE-së do të diskutojnë për pritshmëritë nga ky Samit”, ka shtuar Kupina për Reporteri.net.
Ndryshe, Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet t’i mbledhë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme, pak ditë pasi ta ketë marrë detyrën.
Costa, ish-kryeministër i Portugalisë, do të nisë zyrtarisht mandatin në krye të Këshillit të dielën, më 1 dhjetor, pasi është emëruar në këtë pozitë si pasues i presidentit të deritashëm, Charles Michel.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel, se Costa dëshiron të dërgojë sinjal me këtë takim se në punën e tij do ta ketë parasysh rajonin e Ballkanit Perëndimor si prioritet dhe se dëshiron të ketë raporte të rregullta me liderët e rajonit.
Ky takim do të jetë gjithashtu mundësi për të për t’u njohur personalisht me liderët e vendeve të rajonit, por edhe për të diskutuar rreth përgatitjes së një samiti të posaçëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohej më 18 dhjetor në Bruksel.
Samitet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor tashmë janë bërë të rregullta dhe zhvillohen së paku një herë në vit. Këtë traditë pritet ta mbajë edhe presidenti i ri i Këshillit.