Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani: Rënia e numrit të nxënësve lidhet me lindshmërinë dhe migrimin – Qeveria duhet të ofrojë mbështetje për familjet

Osmani: Rënia e numrit të nxënësve lidhet me lindshmërinë dhe migrimin – Qeveria duhet të ofrojë mbështetje për familjet

Njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, ka folur për Arbëria TV lidhur me arsyet e rënies së numrit të nxënësve në Kosovë, fenomen ky që sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka shënuar ulje për rreth 20 mijë nxënës në periudhën pesëvjeçare.

Duke iu përgjigjur pyetjes për arsyet kryesore të kësaj rënie, Osmani thekson se ndikim të drejtpërdrejtë kanë pasur dy faktorë të rëndësishëm: demografia dhe migrimi.

“Arsyet kryesore për rënien e numrit të nxënësve ndërlidhet me faktorin demografik, por jo vetëm për shkak se migrimi ka ndikuar në masë të konsiderueshme në rënien e numrit të tyre. Në këtë kontekst është e ditur se prej pas luftës e deri më tash kemi pasur në vazhdimësi rënien e lindshmërisë dhe kështu natyrisht çdo ditë numri i nxënësve është duke rënë,” thotë Osmani.

Sipas tij, trendi i largimit të qytetarëve nga Kosova po ndikon drejtpërdrejt në sistemin arsimor.

“Në aspektin e migrimit kemi pasur valë të tëra të migrimit që njerëzit faktikisht kanë zgjedhur të jetojnë në vende të tjera duke synuar një të ardhme më të mirë të tyre. Këta dy faktorë janë kyç në rënien e numrit të nxënësve,” shton ai.

Osmani thekson se përballë kësaj situate, qeveria ka një përgjegjësi të qartë shoqërore dhe duhet të veprojë me masa konkrete.

“Mendoj që qeveria ka një përgjegjësi shoqërore dhe duhet të punojë më shumë për të zvogëluar këtë rënie, për të ofruar stimulim për familjet që kanë fëmijë të vegjël, të kenë shtesa më të mëdha dhe mbështetje tjetër për shkollimin e tyre,” deklaron ai.

Sa i përket ndikimit të rënies së numrit të nxënësve në cilësinë e arsimit dhe organizimin e shkollave, Osmani thotë se kjo ka pasoja të shumta, veçanërisht në zonat rurale.

“Pa dyshim që ndikimi i tij është negativ, kemi shkolla të tëra në vise rurale të Kosovës, të cilat janë mbyllur ose kanë numër shumë të vogël të nxënësve gjë që pastaj ndikon edhe në mënyrën e organizimit të mësimit nëpër ato shkolla, ku kemi edhe klasë të përziera apo edhe në aspekte të tjera të ndikimit negativ, siç është edhe socializimi i fëmijëve dhe zhvillimi i tyre emocional.”

Në përfundim, ai thekson se mungesa e mjaftueshme e shoqërisë dhe stimulit emocional ndikon drejtpërdrejt në motivimin e fëmijëve për të arritur rezultate të mira në shkollë.

“Pra, në raste të tilla fëmijët duke mos pasur numrin e mjaftueshëm të shokëve dhe shoqeve duke mos i pasur për tu shoqëruar, ata natyrisht nuk do të kenë një zhvillim të duhur emotiv dhe në këtë aspekt as motivimi i tyre për të mësuar dhe për të arritur rezultate kulmore nuk është në nivel.”