Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Osmani: Protestat studentore të vitit 1997 kanë qenë për dinjitetin e një populli të tërë

Osmani: Protestat studentore të vitit 1997 kanë qenë për dinjitetin e një populli të tërë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për 28 vjetorin e protestave studentore të vitit 1997.
Ajo ka shkruar se studentët u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë.
“Në vitin 1997, studentët e Kosovës u ngritën jo vetëm për të drejtat e tyre, por për dinjitetin e një populli të tërë. Ata kishin fuqinë e zërit, guximin e zemrës dhe besimin se e ardhmja nuk mund të ndërtohej mbi frikë, padrejtësi dhe terror. Në rrugët e Prishtinës, në auditoriumet e mbyllura, në sheshet e mbushura me thirrje e pankarta, u shkrua një kapitull i artë i rezistencës sonë”, ka thënë ajo.
“Protestat studentore të vitit 1997, ishin lajmëtari i lirisë, nga të cilat secili hap shndërrohej në akt heroizmi dhe secila thirrje për drejtësi bëhej kushtrim për liri e pavarësi.
Sot, kur kujtojmë atë ditë të lavdishme, përulemi me respekt para atij brezi që guxoi të sfidojë padrejtësinë me forcën e paqes. Studentët e 97-tës na mësuan se liria nuk dhurohet, por fitohet, dhe e ardhmja nuk pritet, por ndërtohet”, ka shkruar tutje Osmani.