Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë

Osmani pritet të takohet me liderët e Kroacisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka udhëtuar dje për në Kroaci për një vizitë zyrtar dyditore me ftesë të homologut të saj kroat, Zoran Milanoviç.

Osmani përveç Zagrebit, do të vizitoj edhe Karllovacin dhe Rijekën, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.

Osmani do të takohet sot me homologun e saj për të vazhduar pastaj edhe me kryetarët e Kuvendit të Kroacisë dhe të Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Gjatë qëndrimit të saj në Kroaci, ndër të tjera e para e vendit do të takohet edhe me pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Kroaci.

Sipas njoftimit, udhëheqësit e të dyja shteteve do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, situatën politike dhe të sigurisë në Evropën Juglindore, ngjarjet aktuale në veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore.”, njofton presidenca kroate.

“Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen për dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”, thuhet në njoftimin e presidencës.

“Presidenti Milanoviç tashmë u ka bërë thirrje publikisht anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë. Dhe në fjalimin e tij të fundit në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, presidenti Milanoviç theksoi se Kroacia mbron njohjen universale të Republikës së Kosovës dhe të drejtën e saj për të ekzistuar si anëtare e barabartë e bashkësisë së kombeve.”, përfundon njoftimi i presidencës.

Ndërkaq, Presidentja Osmani është shprehur e lumtur që po e nis këtë vizitë.

“E lumtur që filloj vizitën time zyrtare në Republikën e Kroacisë, një nga aleatët më të vendosur të vendit tonë”, ka shkruar presidentja në X.

/TV Arbëria

Powered by WordPress